Ekipi shqiptar i ndihmës niset drejt Turqisë
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi se ekipi shqiptar i ndihmës është nisur drejt Turqisë dhe në përbërje të tij janë 53 persona, personel mjekësor dhe specialistë të kërkim-shpëtimit.
Më shumë se 2.300 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në ceremoninë e përcjelljes së ekipit shqiptar se Turqia është vend që e ka mbështetur Shqipërinë vazhdimisht, kështuqë, sipas tij, në njëfarë mënyre ky është kthim i kontributit.
“Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i verë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë”, tha ai.
Mbi 2.300 viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri
Dhjetëra të vdekur dhe mijëra të pastrehë nga tërmeti në Shqipëri
Turqia e kishte ndihmuar Shqipërinë menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, duke dërguar ekipe të posaçme dhe mjete që u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe ndihma të tjera si çadra, ushqime, batanije.
Më pas, qeveria turke ka financuar një projekt prej 42 milionë eurosh për ndërtimin e 522 banesave për banorët e prekur nga tërmeti në zonën e Kurbinit në Shqipëri.
Nga tërmeti me magnitudë 6.3 që goditi Shqipërinë tri vjet më parë, humbën jetën mbi 50 persona dhe mijëra të tjerë u lënduan.