Arrestime e rrahje që katër net në protestat në Gjeorgji
Policët me maska në fytyrë kanë përdorur gaz lotsjellës e topa uji për të shpërndarë protestuesit afër ndërtesës së Parlamentit.
Të paktën 200 persona janë ndaluar deri më tani, duke përfshirë themeluesin e partisë opozitare Girchi-More Freedom, Zura Girchi Japaridze.
Kryeministri Kobakhidze ka thënë se presidentja Salome Zurabishvili duhet të largohet nga pozita që ka në vonë gjatë këtij muaji, kur t’i përfundojë mandati.
Ai e ka bërë këtë deklaratë teksa vazhdon të jetë aktual një kontest kushtetues, i lidhur me zgjedhjet kombëtare të muajit të kaluar, të cilat partia Ëndrra Gjeorgjiane pretendon se i ka fituar, parti në pushtet për më shumë se një dekadë.
Zurabishvili dhe partitë opozitare besojnë se janë kryer mashtrime dhe shkelje tjera në zgjedhje dhe refuzojnë të njohin parlamentin e ri.
Shumica e gjeorgjianëve mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe përpjekjet për t’u anëtarësuar në bllok janë të përfshira edhe në Kushtetutën e Gjeorgjisë.
Mirëpo një mori vendimesh të marra nga Ëndrra Gjeorgjiane përgjatë vitit, përfshirë një ligj që kritikët e quajnë “ligji rus” për shtypje të organizatave joqeveritare dhe mediave të huaja, si dhe një tjetër ligj kontrovers për të drejtat e komunitetit LGBT (lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe trangjinorë), si edhe sulmet publike që i ka bërë Kobakhidze Perëndimit, kanë rritur frikën se Qeveria po e drejton shtetin kah orbita e Rusisë.
Qeveritë perëndimore kanë vënë shumë pikëpyetje për zgjedhjet parlamentare të tetorit, duke thënë se ka pasur shkelje dhe ndikim rus.
Gjeorgjia e ka fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2023, mirëpo marrëdhëniet me Brukselin janë tensionuar në muajt e fundit.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë në korrik se do të pauzojnë një ndihmë në vlerë të 95 milionë dollarëve për Qeverinë e Gjeorgjisë, dhe kanë paralajmëruar se ajo po e gërryen demokracinë në vend.