Gazetaret e REL-it shpërblehen me dy çmime vjetore
Gazetarja e REL-it në Prishtinë, Nadije Ahmeti, ka fituar Çmimin për Web Storien më të mirë të vitit, ndërsa kolegia e saj, Doruntina Baliu, ka fituar Çmimin për Raportimin mbi Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Ahmeti u shpërblye për shkrimin e saj, “Ma mori dritën e syve”, i publikuar më 28 maj dhe i shoqëruar me fotografitë e realizuara nga fotoreporteri dhe kameramani i REL-it, Arben Hoti.
Ahmeti ka sjellë rrëfimin e Milihate Coklit, vajza 20 vjeçe e së cilës, Erona, u vra më 12 prill në Ferizaj, teksa si i dyshuar kryesor për aktin u arrestua ish-bashkëshorti i saj, me të cilin viktima kishte një djalë një vjeç e dy muaj.
Baliu u vlerësua për videon e saj, Nga ara në plazhe: Ballkani i zhytur në krizën e mbeturinave, xhirimet dhe montazhin e së cilës i realizoi kameramani i REL-it, Ibrahim Berisha.
Aty, dhe në reportazhin Deponim dhe kundërmim: Kriza me mbeturina në shtetet e Ballkanit, të publikuar më 18 nëntor, ajo tregon se si mbeturinat janë kthyer në një problem të madh në Ballkanin Perëndimor me deponi të tejmbushura që ndotin tokën e ujërat, dhe si në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi, menaxhimi i mbeturinave mbetet jashtë standardeve evropiane.
Në storien e Baliut për mbeturinat kontribuuan edhe gazetarët nga Podgorica të Shërbimit të Ballkanit të REL-it, Nikolla Borozan dhe Aleksandar Lumoviq.
AGK-ja i ka ndarë çmimet e sivjetme për gazetari në bashkëpunim me Misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), UN Women dhe disa organizata të tjera.
Çmimet tjera
Çmimin për gazetarin apo gazetaren më të mirë të vitit e fitoi Ardiana Thaçi-Mehmetin e Klan Kosovës.
Çmimin për raportimin më të mirë nga sporti e fitoi Albiona Hoxhaj nga Betimi për Drejtësi.
Çmimi i gazetarisë për fuqizimin e gruas iu nda tri gazetareve. Dafina Halili nga Kosovo 2.0 e fitoi vendin e tretë, Blerta Ahmeti nga Betimi për Drejtësi vendin e dytë, ndërsa të parin Adelinë Ahmeti.
Çmimi për raportimin më të mirë rreth antigjipizmit iu nda tre gazetarëve, me Rexhep Malokun nga Kosovo 2.0 që zuri vendin e tretë, Gentiana Ahmetin nga Kallxo.com dhe Oriada Dajko që e morën çmimin e dytë, dhe Qëndresa Bellagoshi nga Klan Kosova që e fitoi çmimin kryesor.
Çmimin kameramani i vitit e fitoi Denis Sllovinja nga Kallxo.com.
Çmimin për raportimin më të mirë mbi ndërtimin e besimit e rrëmbeu Arbrita Uka nga Kallxo.com.
Çmimin për raportimin e përgjegjshëm gjinor për të drejtat pronësore të grave e fituan Merita Miftari nga Gazeta Express dhe Jetlira Ademi nga uebsjati Katror.
Çmimin për raportimin më të mirë të sensibilizuar për konfliktin e fitoi Kreshnik Gashi nga Kallxo.com.
Çmimin për raportimin më të mirë për shëndetësinë e fitoi Bujar Vitia nga Kosovo 2.0.
Çmimin për TV storien më të mirë të vitit e fituan gazetarët e Kallxo.com, Adelinë Ahmeti, Xheneta Murtezaj, Ledian Halili, Valon Fana, Shqipron Xhema, Behar Mustafa.