Thaçi: Trump mbështet 100% marrëveshjen me Serbinë
Përmes një postimi në Twitter, Thaçi tha se Trump shprehu “100% mbështetje për marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme midis Kosovës dhe Serbisë".
“Jam mirënjohës për mbështetjen e tij dhe të SHBA-së”, shkroi Thaçi.
Thaçi dhe dhjetëra liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan, qëndruan në Paris ku morën pjesë në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Thaçi po udhëheq delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme është synim i të dyja palëve, ashtu si dhe kusht për përparimin e tyre në rrugën e integrimit evropian.
Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, kanë shpalosur së voni idenë për ndryshimin e kufijve, si mundësi për zgjidhjen e problemeve.
Ideja ka hasur në reagime për dhe kundër në Kosovë dhe Serbi, ashtu si edhe te komuniteti ndërkombëtar.