Kosova rrit taksën doganore për Serbinë dhe Bosnjën në 100 për qind
Rritja e taksës, pason vendimin paraprak të Qeverisë për vendosjen e një takse prej 10 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, e cila ishte përcjellë me reagime të ashpra nga Serbia, por edhe nga Bashkimi Evropian.
Vendosja e taksës prej 100 për qind, sipas zyrtarëve në Prishtinë, ishte një kundërpërgjigje që Kosova i bën politikës agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe diplomacisë serbe te vendet e caktuara për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe të gjitha institucionet obligohen që ta zbatojnë atë.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala thotë se vendosja e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, me qëllim, siç thotë ai, për të “fuqizuar prodhuesit vendorë” dhe ekonominë e Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një postim në rrjetet sociale ka thënë se vendimi i ri i të mërkurës, bëhet për të mbrojtur interesat vitale të shtetit të Kosovës.
“Serbia po vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës në fushën ndërkombëtare. Ajo po ashtu është duke minuar procesin e normalizimit. Për të mbrojtur interesin tonë vital, Qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë taksën doganore 100 për qind. Masat e mëtejme do të publikohen se shpejti”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohet me ambasadorët e Bashkimit Evropian, Kinës dhe Rusisë, dhe Qunt-it, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për të rritur taksën ndaj mallrave serbe për 100 për qind.
Takimin e Vuçiqit me përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë konfirmuar për Radio Evropa e Lirë nga zyra për media e presidentit serb.
Në reagimin e parë pas vendimit për taksën, ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Lajiq tha për Radion Evropa e Lirë se “pas veprimit të Kosovës, Marrëveshja për tregti të lirë në Ballkanin Perëndimor- CEFTA, më nuk ekziston”.
“Ky është një veprim i pastër politik dhe joekonomik apo tregtar”, tha Lajiq.
Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve në Kosovë kanë përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës deri në 100 për qind për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës.
Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) iu bënë thirrje bizneseve importuese që të orientohen nga vendet mike të Kosovës, për zëvendësim të këtyre produkteve.
Po ashtu AKB-ja kërkon edhe nga bizneset vendore prodhues që të rrisin kapacitetet e veta për të furnizuar konsumatorin pa e ndier mungesën e zëvendësimin e prodhimeve nga Serbia me ato “Made in Kosova”.
“Taksa e vënë nga Qeveria e Kosovës është një vendim i guximshëm ndaj Serbisë, por edhe hakmarrës i drejtpërdrejt për bllokadat e vazhdueshme që Serbia po i bënë politikisht dhe ekonomikisht Kosovës edhe pse ekziston një marrëveshje në Bruksel që Serbia është pajtuar që Kosovën mos ta pengojë në rrugëtimin e vet në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtare. Kjo taksë nënkupton thirrjen e ndërgjegjes tonë popullore për bojkot të prodhimeve të Serbisë”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga AKB.
Në anën tjetër, kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, tha se vendim i ri për ngritjen në 100 për qind të taksës doganore për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës tregon mungesë të të kuptuarit të ekonomisë dhe interesave të kompanive kosovare.
“Kjo do t’i kushtojë dëmtime të rënda ekonomisë kosovare. Duhet të kuptoni se shumica e lëndëve të para për industrinë e përpunimit vjen nga Serbia. Ky është vendim politik i palogjikshëm, por duket se jetojmë në kohë të tilla ku dikush merr vendime përmes të cilave i dëmton edhe kompanitë e veta edhe bashkëpunimin rajonal dhe tërë atë që do duhej të ishte normalizim dhe stabilizim i tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Çadezh për Radion Evropa e Lirë.
“Në anën tjetër, të shohim se sa do të zgjasë ky vendim. E kemi parë kur u morr vendimi për taksën 10 për qind sesi çmimet e ushqimit u ngriten 10 për qind në Kosovë. Le të presim tash dhe të shohim se a do të kthehen politikanët në një terren me logjik”, tha tutje ai.
Serbia është importuesi më i madh në Kosovë i pothuajse të gjitha produkteve. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e produkteve të importuara nga ky shtet vetëm brenda një viti, është rreth 400 milionë euro. Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjës në tregun e Kosovës, në vitin e kaluar ka arritur vlerën e 81.5 milionë eurove.
