Izraeli shfuqizon masën për vendosje të maskës në ambiente të jashtme
Të gjitha shkollat janë hapur në këtë vend, në kuadër të masave për t’iu kthyer normalitetit, pas fushatës së gjerë të vaksinimit kundër koronavirusit.
Me një popullsi prej 9.3 milionë banorësh, Izraeli ka vaksinuar 54 për qind të qytetarëve të vet me dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Ministria e Shëndetësisë në këtë vend ka thënë se ndonëse vendosja e maskës nuk do të jetë më e detyrueshme jashtë, masa për vendosjen e saj do të vlejë ende për hapësirat e brendshme publike.
Ministria e Edukimit ka thënë se tani pas kthimit të të gjithë fëmijëve nëpër shkolla, këto institucione duhet të inkurajojnë mbajtjen e higjienës personale, ventilimin e klasave dhe mbajtjen e distancës fizike, sa më shumë që është e mundur gjatë pushimeve mes orëve të mësimit.
Izraeli i konsideron palestinezët në Jerusalemin Lindor si pjesëtarë të popullsisë së vet, andaj ka vaksinuar njerëzit edhe atje.
Ndërkohë 5.2 milionë palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, kanë pranuar një sasi të kufizuar të vaksinave nga Izraeli, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, dhe skema COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila synon të shpërndajë vaksina kundër koronavirusit për vendet e varfra.