Një viktimë dhe 64 raste të reja me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se viktima u regjistrua në Komunën e Gjilanit.
Sipas IKSHPK-së, rastet e reja pozitive rezultuan pas testimit të 4,297 mostrave.
Shifra prej 64 i bie që rreth 1 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.
IKSHPK-ja po ashtu tha se në 24-orëshin paraprak, 409 pacientë janë shëruar nga koronavirusi.
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 107,003, i viktimave në 2,227 dhe i të shëruarve në 100,233.
Aktualisht, raste aktive janë 4,543.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të martën se 46,097 qytetarë janë vaksinuar kundër koronavirusit.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit.
Në zhvillim e sipër është faza e dytë e vaksinimit, e cila përfshin personat e moshës 65 deri në 79 vjeç.
Në fazën e parë, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.
Në fazën e tretë, ndërkaq, është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve.
Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.
Vendi nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike.