Kanadaja: Irani, përgjegjës për rrëzimin e avionit ukrainas
Fluturimi PS752 është goditur nga dy raketa, pasi është nisur nga Teherani, më 8 janar të vitit 2020.
Të 176 personat në bordin e avionit kanë vdekur.
Irani - i cili është akuzuar për pengimin e hetimeve të pavarura - ka thënë se e ka ngatërruar avionin me një raketë amerikane.
Mbi 130 persona që ishin në avion, kishin lidhje me Kanadanë.
Qytetarë ose banorë të katër vendeve të tjera - Ukrainës, Britanisë së Madhe, Afganistanit dhe Suedisë - ishin po ashtu në bord.
Kanadaja tha se faji për incidentin është i “autoriteteve civile dhe ushtarake” të Iranit.
“Irani është totalisht përgjegjës për atë që ndodhi”, tha ministri i Jashtëm kanadez, Marc Garneau.
Hetimi zbuloi se raketat anti-ajrore iraniane ishin në gatishmëri të lartë dhe se autoritetet nuk e mbyllën hapësirën ajrore dhe as nuk i njoftuan linjat ajrore që ishin në veprim.
Autoritetet iraniane fillimisht e kanë mohuar përgjegjësinë për rrëzimin e avionit dhe kanë lejuar që vendi i incidentit të plaçkitet.
Por, me mbledhjen e provave, Forca Hapësinore e Gardës Revolucionare të Iranit ka thënë se një njësi e mbrojtjes ajrore e ka ngatërruar Boeing-un 737-800 me një raketë amerikane.