BE-ja sërish shpreh keqardhje për mosmbajtjen e referendumit serb në Kosovë
“Sipas rezultateve preliminare, votuesit të cilët dolën në votime të dielën në Serbi për të votuar për ndryshimet kushtetuese shprehen mbështetjen e tyre për propozimin. BE-ja mirëpret kompletimin e këtij hapi të rëndësishëm të reformave kushtetuese që ka për qëllim forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, në përputhje me orientimin strategjik të Serbisë për anëtarësim në BE”, tha BE-ja më 17 janar.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se të gjithë qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar në referendumin e Serbisë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse serbe në Prishtinë.
“BE-ja shpreh keqardhje për pamundësinë e gjetjes së një marrëveshjeje me Qeverinë e Kosovës për të lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të mbledhë fletëvotimet në Kosovë, në përputhje me praktikën nga e kaluara”, tha BE-ja.
Në të kaluarën, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja.
Në Serbi, autoritet thanë se për ndryshimet e propozuara kanë votuar mbi 60 për qind e pjesëmarrësve në votim.
Pyetja e referendumit ishte: “A jeni për konfirmimin e Ligjit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
Ndryshimet kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi politik në këtë proces, ka thënë Qeveria e Serbisë.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që të vazhdojë procesin e reformave, sepse siç tha, forcimi i gjyqësorit nuk përfundon me këtë referendum.
“Procesi i reformave për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit nuk përfundon këtu dhe duhet të vazhdohet. Një numër i ligjeve duhet të ndryshohet për zbatimin efikas të ndryshimeve kushtetuese. Kjo duhet të përgatitet si prioritet përmes reformave relevante ligjore, në përputhje me standardet evropiane”, tha BE-ja.
Blloku evropian po ashtu mirëpriti qëndrimin e Qeverisë së Serbisë që të përfshijë Komisionin e Venecias në hapat e ardhshëm dhe i ofroi ndihmë asistencë financiare dhe teknike për zbatimin e reformave në Serbi.
