Kuvendi maqedonas vazhdon debatin për propozimin francez
Për të diskutuar kanë mbetur edhe tre deputet nga më shumë se 50 sa morën pjesë në dy ditët e kaluara, në një debat përplot me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike.
Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.
Deputetët duhet të votojnë propozim francez dhe disa konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.
Propozimi francez parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve, që u përcoll me fishkëllima nga opozita, tha se Qeveria është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet evropiane”.
Por, deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdojnë me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” pasi, sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”.
Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten në fjalimin para deputetëve tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.
Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.