Izraeli akuzohet për vrasjen e liderit të një grupi militant palestinez
Tamer Kilani, lideri i grupit “Strofka e Luanëve” u vra pasi një bombë që ishte vendosur në një motoçikletë të parkuar pranë, shpërtheu gjatë natës më 23 tetor.
Shpërthimi ndodhi në qytetin Nablus, ku përleshjet midis militantëve palestinezë dhe forcave të sigurisë së Izraelit ndodhin pothuajse çdo ditë.
Ushtria izraelite nuk ka pranuar të komentojë për shpërthimin, duke thënë se ushtria “operon kundër terrorit gjatë gjithë kohës”.
Një zëdhënës i ushtrisë tha se Kilani ishte i përfshirë në sulmet ndaj izraelitëve dhe më herët kishte qenë në burg në Izrael.
Incidenti vjen në kohën kur për disa muaj tensionet janë të larta dhe janë përkeqësuar qëkur forcat izraelite nisën shtypjen në Bregun Perëndimor në mars, në përgjigje të një serie sulmesh nga palestinezët në Izrael.
Nëntëmbëdhjetë palestinezë dhe dy ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë këtij muaji, sipas statistikave të mbledhura nga agjencia e lajmeve AFP.
