Netanyahu e shkarkon ministrin e Mbrojtjes, Gallant
"Midis luftës, më shumë se kurrë, nevojitet besim i plotë mes kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes", tha Netanyahu.
"Fatkeqësisht, megjithëse në muajt e parë të fushatës kishte besim të tillë dhe punë shumë të frytshme, gjatë muajve të fundit, ky besim, mes meje dhe ministrit të Mbrojtjes, u thye", shtoi ai.
Në ditët e para të luftës, udhëheqësit e Izraelit paraqitën një front të bashkuar duke iu përgjigjur sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Por, derisa lufta vazhdoi dhe u përhap edhe në Liban, në sipërfaqe dolën dallimet e mëdha politike mes tyre. Derisa Netanyahu ka bërë thirrje për vazhdimin e luftës kundër Hamasit, Gallant ndoqi një qasje më pragmatike, duke thënë se ushtria ka krijuar kushtet e nevojshme për një marrëveshje diplomatike që mund të sjellë lirimin e pengjeve të mbajtura nga grupi militant në Gazë.
Gallant, ish-gjeneral që ka fituar respekt publik me personalitetin e tij të ashpër dhe serioz, tha në një komunikatë: “Siguria e shtetit të Izraelit ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet gjithmonë misioni i jetës sime”.
Gjatë luftës, Gallanti e ka veshur një këmishë të thjeshtë ngjyrë të zezë, si shenjë pikëllimi për sulmin e 7 tetorit dhe ka zhvilluar marrëdhënie të fortë me homologun e tij amerikan, sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Netanyahu e emëroi ministrin e Jashtëm, Israel Katz, në vend të Gallantit në postin e ministrit të Mbrojtjes.
Gideon Saar u emërua ministër i Jashtëm, njoftoi zyra e Netanyahut në një komunikatë për media.
Netanyahu dhe Gallant kanë pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme gjatë luftës mbi njëvjeçare në Rripin e Gazës. Por, Netanyahu e kishte shmangur shkarkimin e tij.
Një përpjekje e tij për ta shkarkuar Gallantin në mars 2023 nxiti protesta të mëdha kundër Netanyahut. Ai gjithashtu e kishte menduar ta shkarkonte Gallantin gjatë verës, por u përmbajt deri të martën vonë.
Netanyahu ka një histori të gjatë të heqjes qafe të rivalëve të tij. Në komunikatën e tij, ai pretendoi se kishte bërë "shumë përpjekje" për t’i tejkaluar mospajtimet me Gallantin.
"Por, ato vetëm sa thelloheshin”, tha ai.