Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Rezultatet preliminare sugjerojnë se shumica e banorëve kanë pranuar që të merret një kredi prej 40 milionë eurosh për të financuar edicionin e 69-të të festivalit në maj të vitit tjetër.
Fondet do të përdoren për të organizuar festivalin, përfshirë akomodimin e pjesëmarrësve, por edhe për zgjerim të transportit publik lokal.
Në mesin e votuesve, 66.4 për qind e tyre kanë votuar në të mirë të marrjes së kredisë.
Në gjithë shtetin, banorët kanë votuar për çështje të ndryshme, përfshirë nëse duhet zgjeruar autostradat, si dhe propozime për skema shëndetësore, dhe ato të banimit.
Në Cyrih, banorët do të votojnë nëse duhet lejuar një shenjëzim gjinor për emrat nëpër publikimet zyrtare.
Këto shenjëzime - me simbolin * - kanë nisur të përdoren në gjuhën gjermane, me qëllim që emrat të bëhen më gjithëpërfshirës për të dyja gjinitë.
Kjo praktikë po refuzohet nga konservatorët dhe disa parti tjera në Zvicër, të cilat kërkojnë mbajtjen e një referendumi për të ndaluar këtë praktikë.
Bazeli do të jetë nikoqir i festivalit të këngës, pas fitores që ka siguruar në edicionin e këtij viti me këngën The Code nga Nemo.