Të paktën 29 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
Situata në dhe përreth spitalit Kamal Advan është “katastrofike”, tha drejtori i spitalit, Hussam Abu Safia. Në mesin e viktimave ishin pesë fëmijë dhe pesë gra, sipas listës së viktimave që ka spitali, e në të cilën ka pasur qasje Associated Press.
Spitali Kamal Advan në Beit Lahija është një nga spitalet e pakta që ende operon në provincën më veriore të Gazës, ku forcat izraelite po vazhdojnë ofensivën e tyre që pothuajse ka ndalur tërësisht këtë zonë nga qasja në ndihmë humanitare për dy muaj.
Ushtria izraelite ka mohuar se forcat e saj kanë sulmuar brenda spitalit dhe se operon brenda tij. Ushtria tha se në javët e fundit, “janë bërë përpjekje të koordinuara me organizatat ndërkombëtare për të transferuar pacientët, shoqëruesit e tyre dhe stafin mjekësor në spitale të tjera”.
Ky spital është sulmuar disa herë në dy muajt e fundit, kur Izraeli nisi një operacion të madh ushtarak në veri të Gazës kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Në tetor, forcat izraelite bastisën spitalin, duke thënë se militantët strehoheshin brenda tij dhe arrestuan disa persona, përfshirë anëtarë të stafit. Zyrtarët spitalorë mohuan pretendimet e Izraelit.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit ka shkatërruar zona të mëdha të Gazës dhe ka bërë që 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e kësaj enklave të zhvendoset disa herë.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 44.000 palestinezë, mbi gjysma e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Izraeli, pa ofruar dëshmi, ka thënë se ka vrarë më shumë se 17.000 militantë.