Bullgaria dhe Rumania bëhen anëtare të plota të zonës Schengen
“Është moment historik që më në fund të mirëpresim Bullgarinë dhe Rumaninë”, ka thënë ministri i Brendshëm i Hungarisë, Sandor Pinter, shteti i të cilit është aktualisht në krye të Presidencës së bllokut evropian.
Bullgaria dhe Rumania, të dyja vende anëtare të BE-së prej vitit 2007, kanë qenë pjesërisht të integruara në zonën për lëvizje të lirë, prej muajit mars, pasi u është mundësuar vetëm trafiku ajror dhe detar, pa kontrolle kufitare.
Austria pati refuzuar pranimin e plotë të këtyre vendeve në Schengen, duke përmendur shqetësimet rreth migrimit.
Megjithatë, Vjena ka thënë të hënën se nuk do të përdorë veton në takimin e ministrave të zhvilluar mëngjesin e së enjtes, dhe kështu dy vendet do të jenë anëtare të plota prej 1 janarit të vitit 2025.
Bukureshti dhe Sofja i kanë plotësuar të gjitha kriteret teknike që u janë vendosur nga Brukseli më 2010, mirëpo kanë pritur më shumë se një dekadë për t’u bërë pjesë e Schengenit, pasi disa vende kanë qenë kundër ndër vite.
Austria ka hequr dorë nga vetoja, vetëm pasi tri shtetet e kanë nënshkruar “pakon për mbrojtje kufitare”.
Marrëveshja parasheh angazhim të përbashkët të rojeve kufitare në kufirin bullgaro-turk, dhe kontrolle të përkohshme kufitare në rrugët tokësore për periudhë gjashtëmujore.
E krijuar më 1985, zona Schengen përbëhet prej 29 shteteve – 25 prej 27 vendeve të bllokut evropian, plus Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Kjo është zona më e madhe në botë pa kontrolle të brendshme kufitare.
Më shumë se 400 milionë njerëz mund të udhëtojnë lirshëm brenda saj.