Nuk u certifikua nga KQZ: Lista Serbe do të ankohet në PZAP
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se vendimi i KQZ-së, është jodemokratik dhe kundër serbëve.
"Gjatë ditës do të paraqesim ankesë në PZAP dhe pres nga një vendim të qartë që do të hedhë poshtë këtë vendim absurd, antiserb dhe jodemokratik të [Albin] Kurtit", deklaroi kreu i Listës Serbe, Zllatan Ellek në një konferencë për media.
Ellek tha se vendimi i KQZ-së, është urdhëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se “dëshiron t'i eliminojë serbët nga këto troje”.
“Kjo është dhunë institucionale dhe ligjore ndaj popullit serb dhe ndaj Listës Serbe, sepse Kurti nuk dëshiron të shohë deputetët e Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës, por dëshiron të ketë serbë të bindur si i ashtuquajturi ministër, z. [Nenad] Rashiq”, theksoi Ellek.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të hënën nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pasi dy anëtarë të KQZ-së nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje – Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, votuan kundër.
Duke e arsyetuar këtë vendim, Kurteshi deklaroi se Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet dhe përdor rregullisht termin “Kosova dhe Metohia” ose frazën “Rroftë Serbia.”
Por, duke iu përgjigjur pretendimeve të Kurteshit, kryetari i Listës Serbe, Ellek, tha se termi "Kosova dhe Metohia është plotësisht i ligjshëm, sepse ai përfaqëson një toponim".
"Dhe, fakti që në vend të 'Rroftë Republika e Kosovës' thashë 'Rroftë Republika e Serbisë'. Ja, sot po ua them qartë se, para së gjithash, jam krenar që jam serb dhe krenar që i thashë ato fjalë. Qëndroj fort pas çdo fjale të shqiptuar", deklaroi Ellek.
Vendimi për moscertifikim të Listës Serbe u mor pavarësisht se Zyra për Regjistrimin dhe Verifikimin e Subjekteve Politike kishte rekomanduar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Megjithatë, në mbledhjen e së hënës, Kurteshi ngriti kritika të shumta ndaj Listës Serbe, përfshirë lidhjet e saj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-nënkryetarin e partisë Millan Radoiçiq, i cili dha dorëheqjen pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë .
Kosova e cilësoi si akt terrorist sulmin në të cilin u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar shprehu shqetësim se procesi i certifikimit të subjekteve politike po ndikohej nga motive politike dhe bëri thirrje që Lista Serbe të ushtrojë të drejtën e saj për t’iu drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë deklaroi se “është e domosdoshme që votuesit, e jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, theksoi se është e nevojshme një zbatim i barabartë i ligjit për të gjithë dhe se procesi i certifikimit nuk duhet të politizohet.
Reagime të ngjashme erdhën nga Bashkimi Evropian dhe Misioni i OSBE-së.
Organizatat joqeveritare që monitorojnë proceset zgjedhore vlerësuan se KQZ-ja mori një vendim “në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e tjera në fuqi.”
Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që mbahen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
Lista Serbe ka bërë të ditur më parë se do të marrë pjesë në zgjedhje pas një bojkoti dyvjeçar të proceseve politike në Kosovë.
Përveç Listës Serbe, për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë regjistruar edhe pesë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Demokracia Serbe, Lëvizja Kombëtare Serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Nisma Qytetare për Drejtësi Popullore.