Ish-presidenti amerikan Bill Clinton shtrohet në spital
78-vjeçari u shtrua në spital pasdite “për analiza dhe vëzhgim”, tha në një deklaratë Angel Urena, zëvendësshefi i stafit të Clinton.
“Ai mbetet në gjendje të mirë shpirtërore dhe është shumë mirënjohës për kujdesin e shkëlqyer që po merr”, tha Urena, raporton Associated Press.
Clinton, një demokrat që shërbeu dy mandate si president nga janari 1993 deri në janar 2001, foli në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago këtë verë dhe bëri fushatë përpara zgjedhjeve të nëntorit për përpjekjen e pasuksesshme të zëvendëspresidentes demokrate Kamala Harris në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Në vitet që kur Clinton ka lënë Shtëpinë e Bardhë, ai ka pasur disa probleme shëndetësore.
Në vitin 2004, iu nënshtrua një operacioni në zemër pasi përjetoi dhimbje të vazhdueshme në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje. Clinton u kthye në spital për një operacion në mushkëri në vitin 2005, dhe në vitin 2010 iu vendosën dy stenta në një arterie koronare.
Në vitin 2021, ish-presidenti u shtrua në spital për gjashtë ditë në Kaliforni, ndërsa po trajtohej për një infeksion që nuk lidhej me COVID-19, në kohën kur pandemia ishte ende në kulmin e saj.