Aktakuzë ndaj një deputeti të Listës Serbe për sulmet ndaj gazetarëve në veri
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit nga radhët e Listës Serbe, Sllavko Simiq, lidhur me sulmet ndaj gazetarëve në Leposaviq qershorin e vitit 2023.
Në njoftim, Prokuroria e identifikoi të akuzuarin vetëm me iniciale, por Radio Evropa e Lirë merr vesh se bëhet fjalë për deputetin Simiq.
Ai akuzohet për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Sipas njoftimit, Simiq më 16 qershor 2023 gjatë protestave kundër vizitës së ministrit, tashmë në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, “me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat”.
Sipas Prokurorisë, sulmi ka vazhduar në drejtim të gazetarëve fillimisht me shok bomba, pastaj turma i ka goditur me grushte, shqelma, mjete të forta, tulla betoni, ngjyra e gjësende tjera dhe gjatë këtij sulmi kishin pësuar lëndime të rënda trupore dy gazetarë.
“Ndërkaq i pandehuri tjetër U.V., si i përfshirë drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve të Republikës së Kosovës, akuzohet për kryerjen e veprave penale ‘Sulmi’ dhe ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi’”, u tha në njoftim, ku u shtua se Prokuroria i kërkon gjykatës që të dy të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Sulmi i 16 qershorit të vitit 2023 ishte dënuar nga politikanët vendorë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.