Kosova dhe Bahamet nënshkruajnë marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave
Kosova dhe Bahamet kanë nënshkruar marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave për qytetarët e tyre, njoftoi Presidenca kosovare të martën.
“Ky hap dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës e Bahamas dhe, mbi të gjitha, për forcimin e lidhjeve mes qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin”, tha Presidenca në Facebook.
Heqja e vizave për qytetarët e tyre vjen një muaj pasi Bahamet e njohën pavarësinë e Kosovës.
Presidenca tha se heqja e vizave ishte hapi i radhës për të cilin ishin pajtuar në dhjetor presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Bahameve, Philip Davis, kur e nënshkruan marrëveshjen për lidhjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Bahamet - vendi ishullor i Oqeanit Atlantik – u bënë vendi 121-të i botës që e njeh Kosovën.
Ky vend në Karaibe deri tani ka qenë në mesin e 106 vendeve të botës ku kosovarët detyrohen të pajisen me vizë para se të udhëtojnë për ta vizituar.
Tani, Bahamet janë vendi i 53-të në botë ku kosovarë mund të udhëtojnë lirshëm.
Në vitet e fundit vendime të ngjashme për t’ia hequr regjimin e vizave kosovarëve kishin marrë edhe Tajvani e Malajzia.
