BE: Çështjet e arsimit dhe shëndetësisë në veri të Kosovës të adresohen në dialog
“Ne jemi duke ndjekur zhvillimet dhe jemi në dijeni për raportet për arrestimin e një drejtori serb të shkollës në Kosovë. Unë mund të rikujtoj se BE-ja ka qenë shumë, shumë e qartë se statusi dhe tranzicioni i disa shërbimeve të mbështetura nga Serbia, sidomos sistemi shkollor dhe edukativ, duhet të adresohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, paralelisht me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim i kamotshëm i autoritetvee të Kosovës”, tha Stano, duke bërë thirrje për përmbajtje nga hapat e njëanshëm.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndërmarrë disa veprime në veri, që janë kritikuar nga faktori ndërkombëtar. Ekzekutivi kosovar ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mbyllur disa degë të postës serbe, si dhe institucione paralele, duke thënë se kanë cenuar kushtetutshmërinë e Kosovës.
Në shtator të këtij viti, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet arsimore dhe shëndetësore në veri, që funksionojnë sipas sistemit serb, aktualisht, nuk kërcënohen nga mbyllja e mundshme, por shtoi se serbët e Kosovës “duhet të jenë të gatshëm për një skenar që nuk do të na pëlqejë”.
“Hapat e njëanshëm që zvogëlojnë qasjen në këto shërbime, në shëndetësi apo shkollim, do të kishin efekt negativ në jetën e përditshme të njerëzve dhe në kushtet e jetës për serbët dhe komunitete tjera në Kosovë. Ky do të ishte dështim i Kosovës në respektimin e obligimeve nga procesi i integrimit të Kosovës”, tha Stano.
Duke u përgjigjur në pyetjet rreth kërcënimeve të Serbisë se mund të tërhiqet nga dialogu, Stano tha se dialogu është kusht si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë në procesin e integrimit në BE. Ai tha se nuk përparim në dialog, nuk do të ketë përparim as në procesin e integrimit.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja bazohet në nevojën dhe gatishmërinë e të dyja palëve për të arritur një marrëveshje me ndihmë e BE-së. Kjo është diçka që palët kanë kërkuar dhe që është mbështetur nga BE-ja dhe nga Kombet e Bashkuara. Pra, ne do ta lehtësojmë dialogun për aq sa palët do të jenë në dialog dhe për aq sa ato do të jenë të interesuara për procesin e anëtarësimit në BE. Nëse nuk do të ketë dialog nuk do të ketë proces të integrimit”, tha Stano.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog në Bruksel që nga viti 2011. Procesi, i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, synon normalizimin e raporteve mes vendeve. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica nga to nuk janë zbatuar.