Sigurohet furnizim i rregullt me energji pas sulmit në veri, thotë Qeveria
Një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Autoritetet kosovare e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, gjë që është mohuar nga ajo.
Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
“Ibër-Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshme me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit ‘Kosova B’. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacenuar”, tha Rizvanolli në një postim në Facebook të shtunën në mëngjes.
Ajo tha se pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është marrë vendim po ashtu që autoritetet e vendit të bashkërendohen me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale.
Rizvanolli shtoi se “nga ky akt terrorist” është ndikuar edhe furnizimi me ujë.
“Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, tregoi ajo.
Më vonë gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se një pjesë e madhe e dëmeve janë ndrequr shpejt.
"Punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar në Ibër Lepenc", tha Kurti në Facebook.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni raportojnë se uji mund të shihet duke rrjedhur ende nga kanali i dëmtuar, edhe pse në sasi të vogël, pas punës riparuese gjatë natës ku u vendosën disa gypa dhe një argjinaturë prej dheu.
Tani për tani nuk ka policë në vendngjarje, por vetëm pjesëtarë të KFOR-it.
Banorët e zonës që jetojnë afër kanalit thonë se atyre nuk u rrezikohet furnizimi me ujë, për shkak se shfrytëzojnë ujin e burimit dhe nuk varen nga kanali i Ibër-Lepencit.
Shpërthimi në Ibër-Lepenc nuk ka shkaktuar viktima, sipas autoriteteve të Kosovës.
Kurti e ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për "sulm kriminal dhe terrorist", i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Por, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, i hodhi poshtë pretendimet e Kurtit, duke thënë se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm.
“Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, tha Gjuriq në një reagim në X.
Shpërthimi u dënua edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Pas këtyre sulmeve, Policia e Kosovës tha të premten se ka shtuar masat e sigurisë në Kosovë, përfshirë në pjesën veriore të shtetit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur “disa sulme apo incidente serioze kriminale”.
Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë sulmesh të tilla.
Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë.
Komuna e Zveçanit, sikurse edhe tre komunat e tjera në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok – udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura vitin e kaluar.