Presidenti i Iranit kritikon ligjin e ri për hixhabin
Prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, grave në Iran u është kërkuar të vendosin hixhabin në publik.
Megjithatë, gratë shfaqen edhe pa të në ambiente publike, sidomos pas protestave të shtatorit të vitit 2022, të nxitura nga vdekja e Mahsa Aminit, sa ka qenë në mbajtje policore, me arsyetimin e nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.
Parlamenti iranian e ka miratuar ligjin e ri për “hixhab dhe dëlirësi”, mirëpo dokumenti duhet të nënshkruhet edhe nga presidenti deri më 13 dhjetor, për të hyrë në fuqi.
“Si person përgjegjës për fuqizim të këtij ligji, i kam rezervat e mia për të”, ka thënë Pezeshkian për televizionin shtetëror të hënën në mbrëmje.
Teksti i legjislacionit nuk është publikuar zyrtarisht, mirëpo mediat iraniane kanë raportuar se në të përfshihen dënime në vlerë të 20 rrogave mesatare për gratë që dalin pa hixhab në publik apo rrjete sociale.
Shkelësit duhet ta paguajnë dënimin brenda 10 ditëve, apo përballen me kufizime të konsiderueshme, sikurse ndalesa në udhëtime apo në marrje të lejes të vozitjes.
“Ne rrezikojmë shkatërrimin e shumë gjërave në shoqëri për shkak të këtij ligji”, ka thënë presidenti iranian.
Policia e ashtuquajtur e moralit nuk shihet shpesh në rrugët e Iranit, prej protestave të vitit 2022, ndonëse si departament nuk është shpërbërë.