Ligjbërësit iranianë kërkojnë ndryshimin e projektligjit të rreptë për hixhabin
Projektligji, tashmë i aprovuar në Parlament, por i cili ende nuk i është dërguar Qeverisë për konfirmim përfundimtar, ka nxitur një debat të nxehtë në Iran, më shumë se dy vjet pas shpërthimit të protestave mbarëkombëtare, pjesërisht për shkak të kodit të rreptë të veshjes për gratë në republikën islamike.
Shahram Dabiri, nënkryetar për çështje parlamentare i Iranit, ka kërkuar të shtyhet dërgimi i projektligjit për aprovim final, sipas agjencisë së lajmeve ISNA.
“Kemi kërkuar që ligji për pastërtinë dhe hixhabin të mos i shkojë qeverisë”, është cituar të ketë thënë Dabiri, i cili ka shtuar se “kryetari i Parlamentit ka kërkuar një ndryshim të projektligjit”, raporton AFP.
Dabiri nuk ka specifikuar natyrën e ndryshimit, e as nuk ka dhënë një afat për procesin.
Ligjbërësit në shtatorin e 2023-tës kishin aprovuar projektligjin, të quajtur zyrtarisht “Ligji për Mbështetjen e Familjes përmes Promovimit të Kulturës së Pastërtisë dhe Hixhabit”.
Që atëherë, ai ka marrë aprovimin e Këshillit të Gardës, një organizëm me kompetenca për shqyrtim ligjesh.
Projektligji fillimisht pritej t’i dërgohej presidentit Masoud Pezeshkian në dhjetor.
Pezeshkian, i cili mund ta nënshkruajë atë dhe ta bëjë ligj, ka shprehur “rezerva” për tekstin, duke përmendur “paqartësi” të shumta.
Projektligji prej 74 nenesh ashpërson kufizimet ndaj veshjes publike të grave, dhe kërcënon me masa kundër bizneseve që nuk e zbatojnë kodin e veshjes, sipas tekstit të tij që e kanë publikuar mediat iraniane.
Ai, po ashtu, parasheh ndëshkime të ashpra me burgim deri në 10 vjet, apo gjoba me vlerë prej mbi 6.000 dollarësh për promovimin e “lakuriqësisë” apo “paturpësisë”.
Që nga vitet e hershme të republikës, pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, gratë në Iran janë detyruar me ligj që të mbulojnë kokën dhe qafën.
Në fund të vitit 2022, një valë protestash shpërthyen pas vdekjes gjatë mbajtjes nga Policia të iraniano-kurdes 22-vjeçare, Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar për gjoja shkeljen e kodit islamik të veshjes.
Gjatë trazirave, që zgjatën me muaj, qindra njerëz, përfshirë dhjetëra pjesëtarë të shërbimeve të sigurisë, u vranë. Mijëra demonstrues u arrestuan.