Macroni falënderon Gisele Pelicotin për kurajën në gjyqin e dhunimeve masive
Duke e përshkruar atë si pioniere për gratë, ai ka thënë se “dinjiteti i saj dhe kuraja e kanë inspiruar Francën dhe botën”.
Ish-burri i saj, Dominique Pelicot, 72-vjeçar, është dënuar me 20 vjet burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka droguar Giselen për pothuajse një dekadë dhe se ka rekrutuar burra tjerë për ta dhunuar atë, teksa ajo ka qenë në gjendje kome në shtrat.
Të 50 burrave tjerë u janë dhënë dënime më të vogla.
Gisele Pelicot ka thënë se procesi gjyqësor ka qenë i vështirë, mirëpo beson në një të ardhmen kur burrat dhe gratë mund të jetojnë “në harmoni dhe me mirëkuptim”.
Ajo pati marrë vendim që procesi të mos jetë anonim dhe e ka bërë rastin publik, i cili ka marrë vëmendje globale.
Gjyqtarët në jug të Francës kanë thënë se 51 burrat që janë paditur, të moshave prej 27 deri në 74-vjeçare, janë fajtorë dhe janë dënuar, mirëpo avokati i Giseles ka thënë të premten se “asnjë vendim nuk do t’ia kthejë mbrapsht jetën që i është shkatërruar”.
Tre fëmijët e saj kanë dhënë se janë të zhgënjyer me disa dënime që u janë shqiptuar disa burrave, të cilat dallojnë prej tre deri në 15 vjet.
Sipas raportimeve, 41 burra janë dërguar menjëherë në burg.
Avokati i Dominique Pelicotit ka thënë se është “tronditur” nga dënimi ndaj klientit të tij dhe do të vendosë në ditët në vijim nëse duhet apeluar atë.
Aktivistët kundër dhunës seksuale e kanë ndjekur nga afër procesin gjyqësor, me shpresën se do të nxisë reforma në ligjet e Francës dhe të ndryshohet kultura e debatit për dhunimet dhe dhunën seksuale që përfshin edhe abuzim me drogën.