Vuçiq: Kurti e konsideron Listën Serbe armiken më të madhe
“Kurti nuk dëshiron pjesëmarrjen e Listës Serbe [në zgjedhje], është faktor përçarës për të, armikja më e madhe e tij është Lista Serbe. Ai po përpiqet t’i kontrollojë gjithë të tjerët të komunitetit serb, njerëzit tanë, mirëpo nuk ka kontroll aty, prandaj Lista Serbe është armikja e saj”, ka thënë Vuçiq në mbledhjen e Qeverisë serbe.
Ai i ka kërkuar drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të marrë masa dhe të informojë botën për situatën në Kosovë, dhe që kjo çështje të jetë ndër prioritetet kyçe të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Vuçiq ka paralajmëruar shumë ndryshime me ardhjen e administratës së re amerikane, por nuk ka përmendur diçka në mënyrë specifike, veçse ka thënë se pala serbe duhet të tregohet serioze dhe e përgjegjshme.
Presidenti serb i ka bërë këto deklarata teksa Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Kurtit, dhe Lista Serbe janë duke vazhduar betejën ligjore para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Ndonëse Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) dhe Gjykata Supreme e Kosovës kanë hedhur poshtë ankesat e LVV-së për moscertifkim të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje, partia në pushtet është ankuar sërish më 2 janar në PZAP.
LVV deklaron se Lista Serbe nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, andaj nuk duhet të certifikohet në zgjedhje.
Lista Serbe, në anën tjetër, akuzon personalisht Kurtin për përfshirje në proces të certifikimit të subjekteve politike.
Perëndimi pati shprehur shqetësim për moscertifikim të Listës Serbe në vendimin fillestar të Komisionit Qendror Zgjedhor, ndërsa Bashkimi Evropian ka thënë më 31 dhjetor se politizimi i certifikimit të listave zgjedhore do të ishte kthim mbrapa për Kosovën.
Lista Serbe pati thënë se do të marrë pjesë në zgjedhje pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.
Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.
Njohës të çështjeve politike i patën thënë Radios Evropa e Lirë se moscertifikimi i kësaj partie në mbledhjen e parë të KQZ-së është pjesë e parafushatës zgjedhore të partisë në pushtet.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.
Deri më tani janë mbajtur një mori zgjedhjesh të parakohshme.