Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, arrestohet nën dyshimin për korrupsion
Në një njoftim për media, SPAK tha se Veliaj dyshohet për për "korrupsion pasiv" në 9 raste.
Ndërkohë, gjykata ka urdhëruar që bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, të mbahet në arrest shtëpiak si e dyshuar për "korrupsion pasiv" në 9 raste, për shpëlarje parash dhe për mosdeklarim të të ardhurash.
Gjykata e Posaçme ka urdhëruar që Veliaj të mbahet në paraburgim, pa treguar për sa gjatë.
SPKA tha se hetimet kanë gjetur se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë “ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme”.
Prokuroria e akuzon Veliajn se ka shpërndarë paranë publike dhe ka dhënë leje ndërtimi tek disa subjekte tregtare të lidhura ngushtë me të.
“Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetasja A. X., si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh”, tha SPAK.
Po ashtu, SPAK njoftoi se për pesë persona të tjerë është dhënë masa "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore".
Hetimet kanë treguar se bashkëshortja e Veliajt, vetë ose përmes personave të afërt me të, ka bërë blerje online në vlerën 86.721.175 lekë (873.878 euro), kryesisht veshje dhe bizhuteri. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar, siç e parashikon ligji.
Po ashtu, ajo nuk ka deklaruar pjesëmarrjes së saj në bordin e një organizate jofitimprurëse, e cila rezulton të jetë edhe pronare e një organizate tregtare.
Prokuroria thotë se duke fshehur këto fakte, është bërë e pamundur për institucionet të "gjurmohet" një sasi e konsiderueshme parash, të cilat kanë qarkulluar nëpërmjet këtyre subjekteve të kontrolluara faktikisht nga Xoxa.
"Mungesa e kësaj transparence ka bërë të mundur më pas edhe funksionimin e një skeme kaq të organizuar të lëvizjes së shumave monetare, nga, dhe nëpërmjet këtyre OJF-ve dhe shoqërive tregtare", thekson SPAK.
Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e disa llogari bankare të Ajola Xoxës dhe shoqërive të lidhura me të, që kapin vlerën e 869.149 eurove.
Ndërsa, në zyrat e një prej shoqërive të administruara prej saj janë gjetur në një kasafortë dhe janë sekuestruar 95.350 euro, 14,900 dollarë dhe 665.000 lekë (6.700 euro).
SPAK bën të ditur se po kryen hetime ndaj një deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë me inicialet K.B.
Nga hetimet ka rezultuar se ajo ka kryer veprime që "pengojnë zbulimin e së vërtetës".