Millorad Dodik dënohet me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit të RS-së
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, është liruar nga të gjitha akuzat.
Të dy janë akuzuar për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.
Ky është dënimi i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.
Pas marrjes së vendimit, Dodik u ka thënë mbështetësve të tubuar para Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska në Banjallukë, se “nuk ka arsye për shqetësim”.
"Më dënuan me një vit në burgun e tyre. Thonë se jam fajtor. Nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Unë jam mësuar të përballem edhe me gjëra më të vështira, prandaj do ta përballojmë edhe këtë", ka thënë Dodik.
Ai, gjithashtu, njoftoi se Kuvendi Popullor i RS-së do të marrë disa vendime të rëndësishme, ndër të tjera, që të refuzohet procesi në Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe që të "ndalohet puna e Prokurorisë në territorin e Republikës Sërpska".
"Vendimi i dytë është ndalimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës në territorin e RS-së", tha ai, duke paralajmëruar gjithashtu miratimin e një ligji për ndalimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe formimin e tij në nivel entiteti.
Gjithashtu, ai paralajmëroi ligje për ndalimin e veprimtarisë së Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) në territorin e RS-së, por tha se "serbët nuk do të ndalojnë së punuari në institucionet e përbashkëta".
Dodik thotë se bisedoi me Vuçiqin dhe Orbanin
Dodik ka thënë se menjëherë pas vendimit, atë e kanë telefonuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.
Dodik ka thënë se presidenti i Serbisë e ka telefonuar dhe e ka mbështetur për t’i thënë se “është me Republikën Sërpska”.
“Thirrja e dytë ka qenë prej Orbanit, i cili e ka thënë të njëjtën gjë”, ka thënë Dodik.
Pak pas marrjes së vendimit për Dodikun, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thirrur seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë për të mërkurën në orën 17:00.
Presidenca e Serbisë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Vuçiq do të niset sonte për në Banjallukë për të takuar Dodikun.
Cvijanoviq: Vendimi për Dodikun nuk duhet të na dekurajojë
Zhelka Cvijanoviq, anëtare e presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka thënë se vendimi kundër Dodikut, “nuk është diçka që duhet të na çarmatosë apo dekurajojë”.
“Ata vendosën të distancojnë Republikën Sërpska nga vetja. Republika Sërpska po mbetet pa udhëheqësi politike. E vetmja gjykatë janë zgjedhjet, që qytetarët tanë të thonë çfarë duan dhe e kanë thënë gjithmonë se e duan Millorad Dodikun”, ka thënë Cvijanoviq, e cila është anëtare e partisë së Dodikut.
EUFOR po monitoron situatën në Bosnje
Komandanti i misionit të Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR), Florin-Marian Barbu, ka thënë se pjesëtarët e tij janë duke mbikëqyrur situatën në Bosnje-Hercegovinë dhe se pavarësisht “deklaratave bombastike të autoriteteve të entitetit të Republikës Sërpska, nuk ka veprime që mund të çojnë në prishje të paqes dhe sigurisë”.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi me Ministrin e Mbrojtjes së Bosnjes, Zukan Helez.
Për çka akuzohet Dodiku?
Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë.
Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas.
Llukiq akuzohej për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.
Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.
Në fjalën përfundimtare, më 19 shkurt, Prokuroria e Bosnjës kërkoi nga Gjykata të shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim për Dodikun dhe t’i ndalojë veprimtarinë politike për dhjetë vjet. Po të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Llukiqin.
Dodik, në fjalën e tij përfundimtare, tha se "të gjithë bashkë duhet të luftojmë që Bosnje-Hercegovina të mos jetë më një protektorat, por të rikthejë sovranitetin e saj", duke përsëritur pretendimet e vjetra se Schmidt nuk ka legjitimitet, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, siç ka ndodhur me Përfaqësuesit e mëparshëm të Lartë.
Presione mbi Gjykatën dhe tubime mbështetëse
Gjyqi ndaj Dodikut dhe Llukiqit filloi më 5 shkurt 2024 dhe është shoqëruar me akuza nga mbrojtja ndaj Gjykatës së Bosnjës, gjyqtarëve dhe prokurorëve për anshmëri, si dhe kërkesa për zhvendosjen e procesit gjyqësor në një gjykatë në Banjallukë.
Çdo seancë është ndjekur nga dhjetëra mbështetës të Dodikut nga e gjithë Bosnja, të cilët pretendonin se kishin ardhur me vullnetin e tyre përpara ndërtesës së Gjykatës në Sarajevë.
Udhëheqësia e Republikës Sërpska ka kërcënuar me "vendime radikale" dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnje-Hercegovinës, nëse Dodik dënohet.
Edhe një ditë para shpalljes së aktgjykimit, në Banjallukë u mbajt një tubim mbështetjeje për institucionet e Republikës Sërpska.
Më 24 shkurt, Qeveria e Republikës Sërpska miratoi një dokument të titulluar "Informacion mbi rrëzimin e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës, masat dhe detyrat për mbrojtjen e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës", të cilin e dërgoi në Kuvendin e këtij entiteti.
Në dokument thuhet, ndër të tjera, se Republika Sërpska do të ndërmarrë masa përmes mjeteve politike dhe ligjore "nëse dhuna ligjore ndaj Republikës Sërpska nuk ndalet dhe nëse nuk ka vullnet politik dhe mbështetje ndërkombëtare për ta kthyer Bosnjën në bazat e saj dhe për ta transformuar në një shtet ku respektohen ligjet dhe Kushtetuta e Dejtonit".
Si erdhi deri te procesi gjyqësor?
Në seancat e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska, në qershor të 2023, u miratuan ligje jokushtetuese, sipas të cilave aktet juridike të Përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska, ndërsa vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, të cilat janë përfundimtare dhe detyruese, sipas Kushtetutës së vendit, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti.
Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, shfuqizoi më 1 korrik 2023 kompetencat e Bonit, dy ligjet e entitetit dhe bëri ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, duke e bërë refuzimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë një vepër penale.
Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet që shpallnin këto ligje të vlefshme, dhe ato u publikuan në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska. Prokuroria e Bosnjës ngriti aktakuzë kundër Dodikut dhe Llukiqit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator.
Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, dhe pas paraqitjes së ankesave, Këshilli i Apelit i Gjykatës së Bonjës pritet të marrë vendimin përfundimtar brenda rreth tre muajsh e gjysmë.
Ky është procesi i parë gjyqësor në Bosnje-Hercegovinë për veprën penale të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.