Vatikani: Gjendja shëndetësore e Papës është stabile
“Papa po vazhdon të pushojë”, tha Vatikani në përditësimin e fundit lidhur me gjendjen shëndetësore të udhëheqësit 88-vjeçar të Kishës Katolike.
Mbrëmjen e së shtunës, Vatikani tha se Papa po merrte oksigjen, por nuk kishte temperaturë, po hante dhe ishte i vetëdijshëm dhe po lutej.
Parametrat e tij hemodinamikë – që lidhen me qarkullimin e gjakut – po ashtu janë stabile dhe Papa nuk ka numër të lartë të qelizave të bardha në gjak, që shpesh tregojnë për një infeksion, tha Vatikani, duke shtuar se prognoza, sikurse në ditët paraprake, mbetet e “rezervuar”.
Françesku, që udhëheq 1.4 miliard katolikë në mbarë botën, u shtrua në spitalin Gemelli të Romës më 14 shkurt me bronkit që shumë shpejt u zhvillua në pneumoni në dy mushkëritë.
Fundjavën e kaluar, Vatikani raportoi se ai ishte në gjendje “kritike”, pasi kishte pësuar një sulm të madh respirator, duke nxitur shqetësime për gjendjen e Papës.
Pas një sërë raportimesh se gjendja i ishte përmirësuar, të premten Vatikani tha se Françesku kishte pësuar një krizë të izoluar të frymëmarrjes.
Katolikët dhe të tjerë në mbarë botën janë lutur për shëndetin e Papës, i cili udhëheq me Kishën që pothuajse 12 vjet.
Besimtarët kanë shkuar vazhdimisht pranë spitalit Gemelli dhe janë lutur për Papën, kanë lënë mesazhe të shkruara për të, përfshirë edhe posterë të krijuar nga fëmijët.
Në dy vjetët e fundit Papa është përballur me disa probleme shëndetësore. Ai është i prirë ndaj infeksioneve në mushkëri për shkak se kur kishte qenë i ri kishte hequr një pjesë të mushkërive.