Izraeli ndalon hyrjen e ndihmave humanitare në Gazë
Hamasi e ka akuzuar Izraelin se po tenton që të devijojë nga marrëveshja dhe tha se vendimi i Izraelit për të ndërprerë ndihmën është “shantazh, një krim lufte dhe një sulm i hapur” ndaj marrëveshjes së armëpushimit. Të dyja palët nuk shkuan deri aty sa të thoshin se armëpushimi ka përfunduar.
Faza e parë e armëpushimit, që përfshiu rritjen e ndihmës humanitare, skadoi të shtunën. Të dyja palët duhet të negociojnë për fazën e dytë, në të cilën Hamasi është paraparë të lirojë dhjetëra pengje të mbetura në këmbim të tërheqjes së Izraelit dhe një armëpushimi afatgjatë.
Një zyrtar izraelit, që foli në kushte anonimiteti, tha se vendimi për të ndërprerë ndihmën është bërë në koordinim me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.
Izraeli tha të dielën se mbështet atë që e përshkroi si propozim nga i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për zgjatjen e fazën së parë të armëpushimit gjatë muajit të Ramazanit dhe një feste fetare hebreje, pra deri më 20 prill.
Sipas propozimit, Hamasi do të lironte gjysmën e pengjeve në ditën e parë dhe pjesën tjetër kur të arrihej një marrëveshje për armëpushim të përhershëm, tha zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Hamasi ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të votuar apo anuluar marrëveshjen ekzistuese të armëpushimit do të kishte “pasoja humanitare” për pengjet dhe ka ritheksuar se e vetmja mënyrë që ata të lirohen është përmes zbatimit të marrëveshjes dhe negocimit të fazës së dytë.
Grupi radikal palestinez tha se është i gatshëm të lirojë pengjet e mbetura brenda një dite në fazën e dytë, por në këmbim të lirimit të më shumë të burgosurve palestinezë, një armëpushimi të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite.
Një zyrtar egjiptian tha se Hamasi dhe Egjipti nuk do të pranojnë propozimin e ri. Ky zyrtar tha se marrëveshja parashihte që palët të negocionin për fazën e dytë në fillim të shkurtit.
Gjatë fazës së parë, fazë gjashtëjavore e armëpushimit, Hamasi ka liruar 25 pengje izraelite dhe trupat e tetë të tjerëve në këmbim të lirimit të pothuajse 2.000 palestinezëve të burgosur nga Izraeli. Forcat izraelite u tërhoqën nga shumica e Gazës dhe Izraeli lejojë hyrjen e ndihmës humanitare. Por, faza e parë u përcoll me akuza nga palët për shkelje të marrëveshjes.
Hamasi e nisi luftën në Gazë, pasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Që atëherë, si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 48.000 palestinezë.
Në janar, dy palët u pajtuan për një marrëveshje armëpushimi me tri faza, që synon përfundimin e luftës.