Shefi i NATO-s do të vizitojë Kosovën më 11 mars
Gjatë kësaj vizite, Rutte do të takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani. Me këtë të fundit do të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për media.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët gjatë javës për këtë vizitë, tashmë të konfirmuar të Ruttes, i cili po ashtu një ditë më herët pritet të qëndrojë në Bosnjë e Hercegovinë. Shefi i NATO-s do të takohet edhe me udhëheqësit e misionit paqeruajtës të aleancës ushtarake perëndimore në Kosovë, KFOR, si dhe me ata të Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian (EULEX) dhe përfaqësues të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK).
Kjo do të jetë vizita e parë e Ruttes në Kosovë që kur ai mori drejtimin e NATO-s tetorin e vitit të kaluar.
Po ashtu kjo vizitë do të realizohet, disa ditë pasi ai deklaroi se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.
Këtë deklaratë ai e bëri në Bratisllavë të Sllovakisë kur u pyet në një debat nga studentët se a sheh mundësi për rifillim të konfliktit në Kosovë pasi ka zëra se politika e re amerikane, nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, mund të çojë deri te largimi ushtarak.
Por, disa ditë më vonë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tash për tash nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket pozicionimit të trupave të tyre në Kosovë.
NATO ka mision paqeruajtës në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë mbi 4.600 trupa nga 29 vende të botës që janë të dislokuar në Kosovë. Numri më i madh i tyre është nga Italia, pasuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia.
NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.