Spitali kryesor i Gazës mezi funksionon pas mësymjeve izraelite dhe 21 muajve luftë
Associated Press
Spitali Shifa ishte dikur shtyllë e sistemit shëndetësor në Rripin e Gazës.
Tani, pas 21 muajsh luftë dhe dy mësymjeve të mëdha izraelite, ai mezi po funksionon.
Korridoret e tij janë plot me njerëz të plagosur nga sulmet ajrore izraelite, ndërsa morgu i tij i mbushur me kufoma.
Mjekët dhe infermierët kryejnë operacione në kushte të mjerueshme, shpesh nën dritën e telefonave mobilë. Pacientët që presin jashtë për dializë qëndrojnë mes rrënojave të një reparti të bombarduar të spitalit.
Izraeli kreu dy mësymje të mëdha ndaj Shifas dhe ka sulmuar disa qendra të tjera mjekësore, duke akuzuar militantët e Hamasit – grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – se strehohen brenda tyre.
Stafi mjekësor ka mohuar akuzat, por pjesëtarë të Hamasit mund të shihen shpesh brenda objekteve të tilla dhe kanë kufizuar qasjen e publikut në disa pjesë të tyre.
Spitalet mund të humbin statusin e vendit të mbrojtur sipas të drejtës ndërkombëtare, nëse ato përdoren për qëllime ushtarake.
Izraeli thotë se bën maksimumin për të kursyer civilët, duke evakuuar objekte të tilla dhe duke iu dërguar atyre ndihma.
Por, mjekët thonë se mësymjet kanë rrezikuar pacientët dhe kanë shkatërruar sistemin shëndetësor, teksa viktimat po shtohen nga lufta e vazhdueshme.
Izraeli mësyu Shifan për herë të parë në nëntorin e vitit 2023, disa javë pasi sulmi i 7 tetorit i Hamasit në Izrael e nxiti luftën.
Ushtria izraelite tha se spitali shërbente si qendër e rëndësishme komanduese e Hamasit, por nuk ofroi shumë dëshmi, përveç një tuneli që çon drejt dhomave nëntokësore afër objektit.
Forcat izraelite u kthyen në Shifa në marsin e 2024-tës, duke nxitur luftime të ashpra disaditore, në të cilat ushtria tha se vrau rreth 200 militantë që ishin rigrupuar atje.
Reparti i emergjencës i spitalit dhe një ndërtesë e kirurgjisë u shkatërruan. Sot, ish-depot e spitalit tani janë plot me pacientë.
Furnizimet mjekësore janë të pakta, për shkak të bllokadës nga Izraeli dhe rënies së ligjit dhe rendit në territorin palestinez, që ua kanë vështirësuar grupeve humanitare dërgimin e ndihmave.
Ndërprerjet e energjisë elektrike janë të zakonshme, për shkak të mungesës së karburanteve.
Shumica e stafit përbëhet nga vullnetarë, të cilët punojnë me orar të gjatë, pa u paguar.
Disa dhoma janë aq të ngarkuara, saqë pacientët qëndrojnë të shtrirë në dysheme.
Mizat enden me të madhe nëpër objekt, pjesërisht për shkak të mungesës së dezinfektuesve.
Përgatiti: Trim Haliti