Franca i kërkon BE-së të ushtrojë presion mbi Izraelin për zgjidhjen me dy shtete
Franca i kërkoi të hënën Bashkimit Evropian të ushtrojë presion mbi Izraelin që të pranojë një zgjidhje me dy shtete me palestinezët, në një tjetër hap diplomatik pas zotimit të saj për ta njohur shtetin palestinez.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha para gazetarëve në selinë e Kombeve të Bashkuara se ndonëse ekziston një konsensus ndërkombëtar se tani është momenti për një zgjidhje politike të konfliktit izraelito-palestinez, fuqitë botërore duhet t’i mbështesin fjalët me veprime konkrete.
“Komisioni Evropian, në emër të BE-së, duhet t’i shprehë qartë pritshmëritë dhe të tregojë mjetet përmes të cilave mund të nxisim qeverinë izraelite të dëgjojë këtë apel”, tha ai.
Barrot foli në ditën e parë të një takimi të nivelit të lartë të OKB-së për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit shumëvjeçar izraelito-palestinez, që po bashkëkryesohet nga Franca dhe Arabia Saudite.
Konferenca, e shtyrë nga muaji qershor dhe e reduktuar në nivel ministror, po mbahet në Nju Jork në kohën kur kritikat ndërkombëtare ndaj qasjes së Izraelit në luftën në Gaza po arrijnë kulmin. Si Izraeli, ashtu edhe aleati i tij më i ngushtë, Shtetet e Bashkuara, refuzuan të marrin pjesë në këtë takim, për të cilin Barrot tha se në të po marrin pjesë përfaqësues nga 125 shtete, përfshirë 50 ministra.
Qëllimi i konferencës, sipas Barrot, është “të përmbyset prirja e zhvillimeve në rajon – veçanërisht zbehja e zgjidhjes me dy shtete, e cila prej kohësh konsiderohet e vetmja rrugë që mund të sjellë paqe dhe siguri”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka refuzuar zgjidhjen me dy shtete si për arsye nacionaliste ashtu edhe për çështje sigurie. Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur këtë qëndrim dhe e kanë cilësuar konferencën si “të padobishme dhe të pavend”.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në këtë fyerje, por do të vazhdojnë të udhëheqin përpjekjet reale për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të sjellë paqe të qëndrueshme”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, në një deklaratë. “Fokusi ynë mbetet te diplomacia serioze – jo te konferencat e inskenuara që synojnë të krijojnë përshtypjen e rëndësisë”.
Franca është tani fuqia më e madhe perëndimore dhe i vetmi vend anëtar i Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara që e njeh shtetin e Palestinës – një hap që mund të hapë rrugën për vendime të ngjashme edhe nga shtete të tjera. Më shumë se 140 vende e njohin tashmë shtetin palestinez.