FSK-ja përfshihet në operacionin e kërkimit në Ujman
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkërendim me KFOR-in, kanë nisur operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës, pasi dy ditë më parë nga njëra nga urat e këtij liqeni dyshohet se një person kërceu dhe nuk doli më nga uji.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja u angazhua në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të një mërgimtari, që kërceu nga ura në Liqenin e Ujmanit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejt të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t'i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Ndërkaq, gjatë një prononcimi për media në Ujman, drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Genc Metaj, tha se kjo agjenci një ditë më parë ka parashtruar kërkesën për angazhimin e FSK-së në operacionin e kërkimit.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
KFOR-i: Operacioni zhvillohet nën kushte specifikeNga misioni i KFOR-it konfirmuan se komandanti i saj, gjeneralmajor Enrico Barduani, autorizoi FSK-në të dislokojë ekipe të kërkim-shpëtimit në zonën e liqenit të Ujmanit.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se autorizimi është dhënë për arsye humanitare, në përputhje të plotë me kompetencat e komandantit të KFOR-it.
“Operacioni zhvillohet nën kushte specifike të vendosura nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të sigurojë mbarëvajtjen e tij”, thuhet në njoftim.
“Angazhimi i FSK-së në këtë rast është në përputhje me mandatin e saj fillestar, që përfshin ndihmë për komunitetet lokale në raste katastrofash natyrore dhe operacione të kërkim-shpëtimit”.
Një 33-vjeçar dyshohet se kërceu nga ura në Ujman pasditen e së dielës. Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Deri tani, operacionet e kërkim-shpëtimit janë realizuar nga Policia e Kosovës, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, si dhe nga zjarrfikësit. Ndërkaq, pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman.
Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.