Netanyahu: Synojmë të marrim kontrollin e plotë të Gazës
Izraeli synon që të marrë kontrollin e plotë të Gazës, por nuk dëshiron që ta mbajë apo ta qeverisë atë, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, para mbledhjes së kabinetit të tij të sigurisë.
“Synojmë”, përsëriti Netanyahu, kur u pyet gjatë një prononcimi për Fox News, nëse Izraeli dëshiron të marrë kontrollin “e gjithë Gazës”.
Kjo intervistë u zhvillua pak para se Netanyahu të niste mbledhjen e kabinetit të sigurisë lidhur me planet e luftës në Gazë.
Sipas mediave izraelite, Netanyahu synon që gjatë mbledhjes të marrë miratimin për zgjerimin e operacioneve ushtarake, përfshirë në zona urnave ku besohet se mbahen pengje.
I pyetur nga Fox News nëse Izraeli do të kontrollojë të gjithë Rripin e Gazës, “ashtu si para 20 vjetësh”, Netanyahu u përgjigj:
“Ne nuk duam ta mbajmë. Duam të kemi një perimetër sigurie. Nuk duam ta qeverisim”.
“Dëshirojmë t’ua dorëzojmë forca arabe që do ta qeverisin siç duhet, pa na kërcënuar dhe duke u ofruar banorëve të Gazës një jetë të mirë. Kjo nuk është e mundur me Hamasin”, shtoi ai, duke iu referuar grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Netanyahu mbledh kabinetin e sigurisë pas një takimi triorësh këtë javë me shefin e ushtrisë, të cilin zyrtarët izraelitë e përshkruan si të tensionuar, duke thënë se kreu i ushtrisë kishte kundërshtuar zgjerimin e fushatës ushtarake.
Sondazhet tregojnë se shumica e izraelitëve duan që lufta të përfundojë me një marrëveshje që do të çonte në lirimin e pengjeve të mbetura në Gazë.
Qeveria e Netanyahut ngul këmbë në fitore të plotë kundër Hamasit.
Synimi që forcat izraelite të futen në zona që nuk i kontrollojnë ende në enklavën e shkatërruar palestineze ka shkaktuar shqetësim në Izrael.
Forumi i Familjeve të Pengjeve, që përfaqëson të afërmit e të rrëmbyerve që mbahen në Gazë, i kërkoi shefit të shtabit të ushtrisë, Eyal Zamir, ta kundërshtojë zgjerimin e luftës dhe i bëri thirrje Qeverisë ta pranojë një marrëveshje që do ta përfundonte luftën dhe do ta siguronte lirimin e pengjeve të mbetura.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, theksoi të mërkurën se ushtria do t’i zbatojë vendimet e Qeverisë deri në arritjen e të gjitha synimeve të luftës.
Udhëheqësit izraelitë kanë kërkuar prej kohësh që Hamasi të çarmatoset dhe të mos ketë më asnjë rol në një Gazë të demilitarizuar dhe që pengjet të lirohen.
OKB-ja i ka quajtur raportimet për një zgjerim të mundshëm të operacioneve ushtarake të Izraelit në Gazë si “thellësisht shqetësuese”.
Ushtria izraelite thotë se kontrollon rreth 75 për qind të Gazës. Shumica e popullsisë prej rreth 2 milionë banorësh është zhvendosur disa herë gjatë 22 muajve të fundit dhe organizatat humanitare paralajmërojnë se banorët janë në prag të urisë ekstreme.
Rreth 200 palestinezë kanë vdekur nga uria që nga fillimi i luftës, gati gjysma prej tyre fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Netanyahu përballet me trysni të madhe ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje armëpushimi, por përballet gjithashtu edhe me trysni të brendshme nga koalicioni i tij për të vazhduar luftën.
Disa aleatë të ekstremit të djathtë në Qeverinë e tij kanë kërkuar që Gaza të pushtohet plotësisht dhe që Izraeli t’i rivendosë vendbanimet hebraike atje, dy dekada pas tërheqjes.
Ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, u tha gazetarëve të mërkurën se shpreson që Qeveria të miratojë marrjen nën kontroll të pjesës tjetër të Gazës nga ushtria.
Lufta nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1.200 njerëz, shumica civilë, në sulmin e 7 tetorit 2023 dhe morën peng 251 të tjerë.
Shumica e pengjeve janë liruar përmes armëpushimeve ose marrëveshjeve të tjera. Nga rreth 50 që mbeten ende në Gazë, besohet se rreth 20 janë ende gjallë.
Lufta hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 61.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila nuk specifikon se sa prej tyre ishin luftëtarë apo civilë, por thotë se rreth gjysma ishin gra dhe fëmijë.