Tetë dekada pas sulmeve atomike, Japonia ngre zërin kundër armëve bërthamore
Në 80-vjetorin e përdorimit të bombave atomike për herë të parë në ndonjë luftë, mijëra persona kanë kryer lutje në qytetet japoneze, Hiroshima dhe Nagasaki, teksa zyrtarët japonezë kanë paralajmëruar liderët botërorë për kokat bërthamore që ekzistojnë edhe sot.
Hiroshima, qytet në perëndim të Japonisë, pothuajse është rrafshuar me tokë më 6 gusht të vitit 1945, kur Shtetet e Bashkuara e kanë gjuajtur bombën atomike të quajtur “Djaloshi i vogël”.
Zjarri i bombës që është përhapur në qytet ka shkuar në mbi 4.000 gradë Celsius.
Më 9 gusht është bombarduar qyteti tjetër japonez, Nagasaki me bombën e quajtur “Burri i shëndoshë”.
Sipas autoriteteve japoneze, mbi 200.000 njerëz kanë vdekur si pasojë e bombave – shumica menjëherë për shkak të shpërthimeve, ndërsa të tjerë për shkak të rrezatimit dhe djegieve.
Operacionet kanë shkaktuar dëm katastrofal në njerëz, por kanë rezultuar me dhënie fund të Luftës së Dytë Botërore, pasi më 15 gusht Japonia është dorëzuar.
Në qytetin e Hiroshimës ka qenë selia e disa njësiteve ushtarake dhe e një baze të madhe furnizimesh gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Zyrtarët amerikanë kanë kalkuluar atëbotë që malet përreth qytetit do të koncentrojnë fuqinë e bombës dhe do ta rrisin kapacitetin e saj shkatërrues.
Përfaqësues të 120 shteteve dhe territoreve në botë, përfshirë ata të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit – që as nuk e konfirmon dhe as mohon posedimin e armëve bërthamore – kanë marrë pjesë në ceremoninë vjetore në Parkun Përkujtimor të Paqes në Hiroshima, për të shënuar përvjetorin e 80-të.
Kryetari i qytetit, Kazumi Matsui, u ka bërë thirrje liderëve që të mësojnë nga Hiroshima dhe Nagasaki dhe ka paralajmëruar për pasojat e trendit global për rritje të kapaciteteve ushtarake.
“Ekziston një bindje mes liderëve politikë botërorë që posedimi i armëve bërthamore është diçka e pashmangshme për ta mbrojtur shtetin”, ka thënë ai, duke përmendur se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia posedojnë 90 për qind të kokave bërthamore në botë.
“Kjo situatë, jo vetëm që i kthen në zero mësimet e mësuara nga komuniteti ndërkombëtar nga kjo tragjedi e së kaluarës, por edhe e dëmton seriozisht kornizën që është ndërtuar për paqe. U bëj thirrje të gjithë liderëve në botë që ta vizitojnë Hiroshimën dhe të shohin vetë realitetin e bombardimit atomik”.
Disa dekada pas sulmeve, të mbijetuarit, të njohur si “hibakusha” shpesh janë përballur me diskriminime, për shkak të thashethemeve se ata janë bartës të sëmundjeve dhe që pasardhësit e tyre mund të infektohen.
Numri i të mbijetuarve ka rënë nën 100.000 – për herë të parë këtë vit.
Këta persona janë përballur me efekte afatgjata për shkak të sulmeve, përfshirë rreziqet për kancer të tiroides dhe leukemisë. Si në Hiroshima, ashtu edhe në Nagasaki ka pasur rritje të numrit të rasteve me kancer.
Megjithatë, autoritetet shëndetësore nuk kanë identifikuar se pasardhësit e tyre kanë pasur ndonjë të metë.
Japonia është vendi i vetëm që është përballur me sulme bërthamore. Ajo ka thënë disa herë se është e përkushtuar për çarmatosje bërthamore, mirëpo nuk është nënshkruese apo vëzhguese e Traktatit të Kombeve të Bashkuara për Ndalim të Armëve Bërthamore.
Më 2016, presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, ka qenë presidenti i parë që e ka vizituar Hiroshimën, sa ka qenë në detyrë.
Ai nuk ka kërkuar falje për sulmin, mirëpo është solidarizuar me të mbijetuarit dhe ka bërë thirrje për një botë pa armë bërthamore.
Përgatiti: Krenare Cubolli