Vuçiq për paradën ushtarake: Mesazh stabiliteti dhe paralajmërim për agresorët e mundshëm
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se parada ushtarake në Beograd nuk ka të bëjë fare me ngjarje të ditës, siç pretendojnë disa përfaqësues të opozitës.
“Është një dëshirë e jona për të shënuar një festë kombëtare dhe për të treguar se sa shumë ka përparuar ushtria. Njerëzit të shohin se në çfarë kemi investuar para dhe sa më e fortë është Serbia se dje. Të shohin se mund të ndihen të sigurt”, tha Vuçiq më 12 shtator.
Parada e Ushtrisë së Serbisë, e quajtur “Forca e Unitetit”, do të mbahet më 20 shtator.
Ajo vjen në kohën kur Serbia përballet me protesta masive antiqeveritare, të nxitura nga vdekja e 16 personave në një aksident në Novi Sad, dhjetë muaj më parë.
Një pjesë e publikut në Serbi, e udhëhequr nga partitë opozitare, është indinjuar nga organizimi i paradës ushtarake.
Ajo vlerëson se Vuçiq dëshiron “të demonstrojë forcën” në kohën e një polarizimi të madh në shoqëri.
Sipas deklaratave të përfaqësuesve të Qeverisë, arsyeja për paradën është një festë kombëtare - Dita e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar Serb, të cilën Serbia e feston së bashku me entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska.
Parada ushtarake vjen edhe në kohën e tensioneve të larta në Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak të refuzimit të Republikës Sërpska për të pranuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë vend, për t’ia marrë mandatin e presidentit të entitetit, Millorad Dodikut.
Vuçiq tha se parada ishte planifikuar që para më shumë se gjashtë muajsh dhe se ka për qëllim të tregojë stabilitetin, sigurinë dhe mbrojtjen e Serbisë, si dhe të dërgojë mesazh kundër çdo agresori të mundshëm.
Ai vlerësoi se një mesazh i tillë është shumë i rëndësishëm “në një botë pasigurie, trazirash dhe çmendurie të përgjithshme”.
“Kjo histeri anti-serbe [kundër paradës ushtarake] nuk është asgjë e re. Sidomos sulmet nga njerëzit e Frontit të Gjelbër [në opozitë], të cilët thonë se kjo është e njëjta ushtri që në konfliktet e viteve ‘90 vrau vëllezërit e saj. Së pari, këta janë të rinj, dhe së dyti, edhe ushtarët tanë u vranë nga disa prej atyre që ata po u përulen”, tha Vuçiq.
Ai tha se “nuk i ndjek shumë ato komente”, por shtoi se nuk mund të besojë që dikush është “aq analfabet politik” sa të tregojë urrejtje ndaj ushtrisë së tij, e cila është një nga institucionet më të respektuara në shoqëri.
Serbia shpalli neutralitetin ushtarak qysh në vitin 2006, ndërkohë që është e rrethuar nga anëtarë të NATO-s, me të cilët bashkëpunon në kuadër të programit Partneritet për Paqe.
Ndërsa është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo ka bashkëpunim të ngushtë edhe me Rusinë dhe Kinën, nga të cilat blen edhe armë ushtarake.