Irani është “praktikisht i pambrojtur” nëse SHBA-ja e sulmon
Irani po bëhet gati për një sulm të mundshëm, teksa Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar asete kyç ushtarake, përfshirë një aeroplanmbajtës dhe bombardues të tjerë në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar me sulme ndaj Republikës Islamike për shkak të shtypjes brutale të protestuesve antiqeveritarë. Nëse Trumpi autorizon një veprim ushtarak, Teherani mund të jetë praktikisht i pafuqishëm për të ndalur një sulm ajror, thonë ekspertët.
Por, kjo nuk nënkupton se Irani nuk mund të hakmerret ndaj ushtrisë amerikane dhe aseteve komerciale në rajon, thanë ekspertët, duke përmendur arsenalin e fuqishëm të Teheranit me raketa të avancuara balistike, raketa lundruese që mund të fluturojnë ulët si dhe dronët luftarakë dhe kamikazë.
Gjatë luftës 12-ditore qershorin e vitit të kaluar, Izraeli goditi infrastrukturën ushtarake të Iranit, përfshirë edhe qendrat për prodhimin e raketave. Sulmi i Izraelit po ashtu dobësoi aftësinë e Iranit, që ka një forcë të vjetëruar ajrore, për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore, duke shënjestruar radarët e tij dhe sistemet e mbrojtjes ajrore S-300 të prodhimit rus.
Edhe në ato rrethana, Teherani arriti të lëshonte qindra raketa balistike drejt Izraelit. Dhjetëra raketa, shumica nga të cilat kishin për cak objektet ushtarake, depërtuan mbrojtjen e fuqishme ajrore të Izraelit.
“Në aspektin e aftësive mbrojtëse, Irani është praktikisht i pambrojtur”, tha Michael Horowitz, një ekspert i pavarur i mbrojtjes, me seli në Izrael.
Por, Irani “ka ende një arsenal të madh raketash me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi që lehtësisht mund të godasin bazat amerikane në Lindjen e Mesme, si edhe raketa lundruese dhe dronë që me gjasë do t’i përdorte për të shënjestruar anijet amerikane”, shtoi Horowitz.
*Video nga arkivi: Operacioni Çekani i mesnatës, që SHBA-ja kreu ndaj caqeve në Iran në qershor të vitit 2025
Raketat “e fuqishme” balistikeNë qershor, Izraeli goditi caqe përreth Teheranit, përfshirë kompleksin ushtarak në Parçin, bazën ushtarake Hoxhir, objektin raketor në Shahrud dhe një fabrikë në Zonën Industriale Shamsabad.
Sulmet kishin për qëllim të pengonin prodhimin nga Irani të raketave balistike me rreze të mesme veprimi, të cilat përbëjnë kërcënim për Izraelin dhe janë “mjaft të fuqishme”, tha Sascha Bruchmann, analist për çështje ushtarake dhe të sigurisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me seli në Londër.
Shumë nga raketat balistike me rreze të mesme veprimi “operojnë me karburante të lëngshëm dhe varen infrastruktura për t’u gjuajtur dhe për t’u mbushur me karburant”, tha Bruchmann. “Izraelitët e përdorën këtë fakt për t’i gjetur dhe për t’i shkatërruar shumicën e lëshuesve të raketave gjatë luftës”.
Numri i lëshuesve të raketave që Irani ka operacionale është i paqartë.
Irani posedon edhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi që janë “shpesh me karburant të ngurtë, shumë më fleksibile dhe për këtë arsye më të vështira për t’u detektuar para lëshimit”, shtoi Bruchmann, duke vlerësuar se Teherani ka disa mijëra raketa të tilla.
Ai tha se raketat me rreze të mesme veprimi “përbëjnë kërcënim real, veçmas për shtetet më të vogla të Gjirit Persik”, sikurse Katari dhe Bahrejni që janë mikpritës të bazave dhe forcave amerikane.
Përtej arsenalit të armëve, një nga mjetet më të fuqishme të Iranit është aftësia e tij për të penguar trafikun e naftës në Gjirin Persik, një rajon që prodhon rreth 40 për qind të naftës në botë, thonë ekspertët.
Rreth një e pesta e furnizimit global me naftë kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë e ngushtë ujore që lidh Gjirin Persik me oqeanin e hapur. Irani ka shqyrtuar më herët mbylljen e kësaj rruge, një veprim që do të ndërpriste rrjedhën globale të naftës.
“Republika Islamike që një kohë të gjatë ka përgatitur një sërë kapacitetesh ushtarake të destinuara për ta mbyllur këtë rrugë kyç detare. Kjo do të krijonte një tronditje ekonomike që Irani mund ta shfrytëzonte”, tha Horowitz.
SHBA shqyrton opsione ushtarakeTrump kërcënoi me sulme ushtarake ndaj Iranit pasi autoritetet vranë mijëra persona gjatë shtypjes së protestave masive që shpërthyen në fund të dhjetorit. Kohët e fundit, Trump është tërhequr nga ky kërcënim, megjithëse nuk e ka përjashtuar kryerjen e një sulmi.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Trump po shqyrton një sërë opsionesh ushtarake. Ato përfshijnë sulme ndaj objektivave kryesisht simbolike, sulme që kanë për shënjestër eliminimin e liderit suprem ajatollah Ali Khamenei dhe udhëheqësve të tjerë apo një fushatë të zgjatur bombardimesh.
Çdo veprim ushtarak i SHBA-së kundër Iranit bart rreziqe të mëdha, thonë ekspertët, dhe edhe një sulm i kufizuar mund të provokojë kundërpërgjigje nga Teherani dhe të shkaktojë një konflikt të gjerë që mund ta përfshijë të gjithë rajonin.
Nuk është e qartë nëse qëllimi përfundimtar i një veprimi të mundshëm ushtarak amerikan ndaj Iranit është ndryshimi i regjimit, nxitja e dezertimeve në forcat e armatosura dhe elitën politike, dobësimi i aftësisë së forcave të sigurisë për të shtypur protestat, apo që një Teheran i dobësuar të sillet në tavolinën e negociatave.
Një fushatë ajrore amerikane, pa ndërhyrje tokësore, nuk do të çonte në ndryshim të regjimit, sipas ekspertëve. Një pushtim tokësor i Iranit, shtetit më të madh dhe më të populluar në Lindjen e Mesme, konsiderohet opsion joreal nga shumë ekspertë të mbrojtjes.
Një fushatë e zgjatur ajrore nga SHBA-ja ka pak gjasa të ndodhë, thonë ekspertët, duke përmendur dëshirën e Trumpit, sipas raportimeve, për një sulm të kufizuar dhe vendimtar. Por, edhe një ofensivë që do të zgjaste me muaj nuk do të garantonte rrëzimin e regjimit.
“Një fushatë e qëndrueshme ajrore nga SHBA-ja mund ta dëmtojë rëndë ushtrinë konvencionale të Iranit duke shkatërruar sistemet e komandës dhe kontrollit si dhe infrastrukturën, por nuk ka gjasa që vetëm ajo të çojë në kolapsimin e forcave të sigurisë së Iranit, të cilat mund të shpërndahen, të fshihen dhe të kalojnë në represion të brendshëm”, tha Horowitz.
“Fuqia ajrore mund të ndëshkojë dhe paralizojë, por do të duhej që njëkohësisht të kishte në terren një çarje politike, si rifillimi i protestave dhe përçarjeve brenda udhëheqjes iraniane, për të sjellë vërtet një kolaps të plotë të forcave të sigurisë ose të regjimit”, shtoi ai.
Përgatiti: Mimoza Sadiku
