Tre shtetas të Kosovës vdesin në një aksident në punishte ndërtimi në Vjenë
Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë, kanë bërë të ditur autoritetet dhe Ambasada e Kosovës në Austri.
Sipas njoftimit fillestar të Ambasadës, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund, gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.
Fillimisht, autoritetet kosovare konfirmuan se dy nga viktimat janë shtetas të Kosovës: Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977).
Në një njoftim të përditësuar më 18 mars, Ambasada bëri të ditur se edhe viktima e tretë nga katër viktimat e përgjithshme të këtij aksidenti është shtetas i Kosovës, Istref Zekaj.
Ambasada e Kosovës në Austri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të koordinuar procedurat e mëtejme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi për rastin duke shprehur tronditjen për ngjarjen dhe duke theksuar se institucionet janë në koordinim për t’u dalë në ndihmë familjeve të viktimave.
“Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe”, ka shkruar Kurti.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se është tronditur nga vdekja e tre qytetarëve të Kosovës në vendin e punës në Vjenë, duke e cilësuar humbjen si dhimbje që prek të gjithë.
“Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e tyre. Ndajmë dhimbjen me ta dhe qëndrojmë pranë tyre në këtë humbje të madhe”, ka shkruar Haxhiu.
Në një përgjigje për REL-in, Policia e Austrisë tha se "disa punëtorë ndërtimi janë zënë nën dhe për arsye ende të paqarta" në oborrin e brendshëm të një ndërtese shumëbanesore.
Policia bëri të ditur gjithashtu të ditur se katër punëtorë janë gjetur pa shenja jete, ndërsa një tjetër është nxjerrë i gjallë dhe është dërguar për trajtim në spital.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar e dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë për më shumë informacione lidhur me rrethanat e aksidentit, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Autoritetet austriake nuk kanë dhënë ende detaje të plota për shkaqet e shembjes së konstruksionit, ndërsa hetimet për rastin pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe kushtet e sigurisë në punishte.
