Ligjvënësit dështojnë t’i zgjedhin dy gjyqtarë të rinj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës
Ligjvënësit në Kosovë kanë dështuar t’i zgjedhin dy gjyqtarë të rinj në gjykatës më të lartë të vendit, e cila është duke punuar me minimumin e lejuar të gjyqtarëve, gjatë një seance të premten, duke e kthyer konkursin në pikën zero.
Gjashtë kandidatë ishin në garë për dy vende të lira si gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, por asnjëri prej tyre nuk i mori votat e nevojshme për t’u emëruar.
Në rundin e katërt dhe të fundit të votimit të fshehtë, Jorida Xhafaj i mori 62 vota, Emine Abdyli-Pozhari 60 dhe Flamur Mrasori 51. Sipas, Kushtetutës 2/3 e deputetëve duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Komisionit të Posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese ta rishpallë konkursin për dy gjyqtarët e rinj, dhe e mbylli seancën e së premtes.
Benina Kusari, Shpresa Emra dhe Zahir Çerkini, të cilët ishin në garën e ngushtë, u eliminuan në rundet e mëhershme.
Kushtetuesja përbëhet nga nëntë gjyqtarë, por tash e një kohë ajo është duke vepruar me vetëm shtatë sosh, që është minimumi që i mundëson asaj të jetë funksionale.
Gjykata Kushtetuese është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë, dhe është arbitri më i lartë për interpretimin e dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.
Në përgjithësi, 25 kandidatë garuan për dy vende në gjykatën më të lartë të vendit në prill.
Ata u intervistuan me gojë nga Komisioni i Posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe u vlerësuan me pikë nga 5 deri në 10. Procesi u vëzhgua nga organizatat e shoqërisë civile.
Sipas ligjit, procedura për emërimin e gjyqtarit të ri fillon të paktën tre muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të gjyqtarit paraprak.
Gjyqtarët e përzgjedhur nga Komisioni i Posaçëm duhet të votohen më pas nga Kuvendi, para se të emërohen nga presidenti i Kosovës dhe ta bëjnë betimin para fillimit të mandatit.
