Presidenti Trump do të flasë për "rrezikun e socializmit"
![Presidenti Trump do të flasë për](https://gdb.rferl.org/3EEA3092-1FC3-4B3D-861B-104CCE4124EC_cx0_cy7_cw0_w800_h450.jpg)
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të flasë për “rrezikun e socializmit” përderisa do të shprehë mbështetjen për liderin e opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, i cili e ka shpallur veten president të përkohshëm.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara konfirmuan se presidenti Trump më 18 shkurt, do të mbajë fjalimin në Universitetin Ndërkombëtar të Majamit në Shtetet e Bashkuara.
Uashingtoni e ka mbështetur Guaidon duke i bërë thirrje ushtrisë së Venezuelës dhe shteteve tjera që ta njohin atë si udhëheqësin e ligjshëm të vendit.
BE-ja, Kanadaja dhe vendet tjera rajonale, duke përfshirë Brazilin, Kolumbinë dhe Argjentinën i janë bashkuar mbështetjes për Guaidon.
Vende të tjera, duke përfshirë Rusinë, e cila ka pasur lidhje të ngushta ushtarake me qeverinë socialiste të Venezuelës, mbështesin presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro.
Maduro mori detyrën më 2013 pas vdekjes së presidentit të atëhershëm, Hugo Chavez dhe u betua për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të vitit 2018, të cilat u shoqëruan nga një bojkot i opozitës dhe pretendimet për manipulim me votat.
Maduro është kritikuar për abuzimet e pretenduara të të drejtave të njeriut dhe për trajtimin e tij të ekonomisë së Venezuelës, e cila është në prag të kolapsit.