Putin arrin në Emiratet e Bashkuara Arabe për të diskutuar rreth investimeve
Presidenti rus, Vladimir Putin ka arritur në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shënuar vizitën e tij të parë në këtë shtet të Gjirit Arab në më shumë se një dekadë.
Putin ka udhëtuar më 15 tetor nga Arabia Saudite, për t’u takuar me princin e kurorës së Abu Dabit, Muhammad bin Zayed Al Nahyan.
Në Riad Putin është takuar me mbretin dhe princin e Arabisë Saudite, teksa Moska synon të rrisë prezencën e saj në Lindje të Mesme.
Putin dhe Mbreti Salman kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë të miliarda dollarëve për investime në mes të të dyja shteteve, duke shënjestruar sektorin e kulturës, shëndetësisë dhe tekonologjisë së avancuar.
Në marrëveshje është arritur pajtueshmëri për të “riforcuar” bashkëpunimin në mes të Organizatës 24-anëtarëshe të vendeve eksportuese të naftës (OPEC), dhe 10 vendeve tjera që nuk janë anëtare të saj, ka thënë ministri saudit i Energjisë, Abdulaziz bin Salman.
Rusia nuk është anëtare të OPEC-ut, mirëpo ka punuar ngushtë me këtë grup me qëllim të rritjes së çmimeve të naftës, pas rënies së çmimeve që ka ndodhur më 2014, dhe për rezultat ka dëmtuar rëndë ekonominë ruse.
Vizita e parë e Putinit në shtetin e pasur me naftë prej vitit 2007, ka ndodhur pasi Moska ka dështuar të përmbushë synimin për rritje të bruto prodhimit të brendshëm për 3 për qind, si dhe vazhdon të përballet me sanksione perëndimore.
Kjo vizitë po ashtu është realizuar në kohën kur janë rritur tensionet në Gjirin Persik, për shkak të disa sulmeve në rafineritë saudite të naftës muaj më parë.
Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe një numër i vendeve perëndimore kanë fajësuar Iranin për këto sulme, ndonjë ky i fundit mohon çdo përfshirje.