Raportohet për shtatë të vrarë pas një sulmi izraelit në Gazë
Sipas agjencisë për mbrojtje civile në Gazë, sulmi ajror goditi katet e sipërme të spitalit Al-Wafa në Qytetin e Gazës.
Ushtria izraelite tha se ka kryer një “sulm preciz”, që ka shënjestruar anëtarët e një ekipi të mbrojtjes ajrore të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – të cilët tha se po operonin “nga një qendër komanduese që gjenden në ndërtesën që më parë ishte spitali Al-Wafaa”.
“Kjo ndërtesë aktualisht nuk funksionon si spital”, tha ushtria izraelite.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se spitali ende funksionin.
“Spitali Al-Wafaa operon pjesërisht, ofron kujdes për pacientët që kanë të meta fizike”, tha ministria.
Sulmi në spitalin Al-Wafaa u krye një ditë pasi Izraeli përfundoi një operacion brenda spitalit Kamal Adwan në veri të Gazës, sulm që Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se detyrojë pacientët dhe stafin të largoheshin nga ndërtesa.
Ushtria izraelite po ashtu ka arrestuar drejtorin e këtij spitali, Hossam Abu Safiyeh, duke thënë se ai dyshohet se është anëtar i Hamasit.
Që nga 6 tetori i këtij viti, Izraeli ka përqendruar operacionet e tij ushtarake në veri të Gazës, duke thënë se po synon që të parandalojë Hamasin që të rigrupohet. Megjithatë, ushtria izraelite po ashtu kryen sulme ajrore dhe granatime edhe në pjesë të tjera të enklavës palestineze.