Aktakuzë ndaj një personi, dyshohet se ishte pjesë e Al-Nusrës
Sipas njoftimit, O.K, dyshohet se “që nga janari i vitit 2013” kishte marrë pjesë në aktivitete të grupit Al-Nusra në rrethinën e Damaskut, në Siri.
Ngritja e aktakuzës, tha Prokuroria, u bë pas mbledhjes dhe analizimit të provave personale dhe materiale të të pandehurit.
“Prokurori i Shtetit, ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor, duke e dënuar sipas Kodit Penal dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim e këtij rasti penal”, u tha në njoftim.
Al-Nusra u shfaq në skenë më 2012, një vit pasi në Siri nisi lufta civile. Fillimisht, grupi u shfaq me emrin Jabhat al-Nusra, apo Fronti Nusra, degë siriane e Al-Kaidës.
I udhëhequr nga Muhammad al-Julani, grupi merrte urdhra nga Abu Bakr al-Baghdadi, udhëheqësi i Al-Kaidas në Irak. Baghdadi më pas shkëputi lidhjet me Al-Kaidan dhe themeloi grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), grup në të cilin Julani refuzoi të bëhej pjesë.
Më 2017, ajo u bashkua me grupe të tjera opozitare në veriperëndim të Sirisë për të formuar Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
HTS-ja de facto tani udhëheq me Sirinë, pasi rrëzoi nga pushteti presidentin, Bashar al-Assad, vitin e kaluar.
Në Siri besohet se ende ka luftëtarë shqiptarë që janë pjesë e grupit Xhemati Alban, njësit brenda koalicionit të HTS-së.
Ky grup thuhet se është i përbërë prej dhjetëra personave, ka strukturë komanduese etnike shqiptare dhe bëhet fjalë për “një grup islamist xhihadist dhe të strukturuar mirë”.
Në dhjetor, autoritetet e Kosovës nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë për numrin e luftëtarëve aktualë nga Kosova në Siri dhe as pjesëmarrjen e tyre në koalicionin HTS.
Mirëpo, të dhënat e mëparshme tregojnë se mbi 350 persona besohet të kenë shkuar në Siri që nga viti 2011, kryesisht për t’iu bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik.
Kosova ka miratuar Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës në vitin 2015, derisa që nga viti 2019 u organizuan disa operacione riatdhesimi, me të cilat u rikthyen qindra persona.
Në Shërbimin Korrektues të Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se pas proceseve gjyqësore, rreth 42 të burgosur për pjesëmarrje në luftëra të huaja kanë kaluar nëpër institucionet e tij korrektuese. Aktualisht, në institucionet korrektuese ndodhen 7 prej tyre.
Më herët është thënë se rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut.
Deri në shpartallimin e Shtetit Islamik në fund të vitit 2017, shumica e kosovarëve në Siri jetonin në territoret që kontrolloheshin nga ky grup.