Emërtimi i rrugëve në Tetovë përplas Qeverinë me autoritetet lokale
Në zgjedhjet e muajit maj, Qeveria u formua nga VMRO-DPMNE-ja, koalicioni i partive shqiptare VLEN dhe partia ZNAM. Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski deklaron se marrëveshja mes partnerëve të koalicionit parashikon vetëm emërtimin e rrugëve që nuk kanë emra, duke përjashtuar çdo mundësi për ndryshimin e emrave ekzistues.
Gjatë një konference për media të martën, Mickoski theksoi se “çdo vendim i njëanshëm për riemërimin e rrugëve nuk do të pranohet".
Sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës, qyteti ka gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 pa asnjë emërtim.
Kreu i kësaj komune, Bilall Kasami tha se emrat do të vendosen për rrugët që aktualisht kanë numra ose janë pa emër, ndërsa për rrugët me emra ekzistues, ai tha se komisioni i posaçëm – në të cilin kanë përfaqësues të gjitha partitë– do të vlerësojë nëse këta emra do të mbeten apo do të ndryshohen.
“Qeveria thotë se nuk do të ketë ndryshim me imponim të emrave të rrugëve në asnjë moment. Komuna e Tetovës nuk ka një proces të imponimit të ndryshimit të emrave të rrugëve. Prej fillimit flasim për një proces të emërimit të rrugëve, duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat demokratikë dhe ligjorë", tha Kasami të martën gjatë një takimi me gazetarët.
Kasami, që njëherësh drejton Lëvizjen Besa – pjesë e koalicionit VLEN - shtoi se emrat e rrugëve duhet të pasqyrojnë të tashmen dhe konceptin evropian, pasi emrat aktualë “nuk kanë lidhje me historinë e qytetit dhe shtetit".
Ndërkohë për këtë pati reagime edhe nga Unioni i Luftëtarëve dhe Qytetarëve Maqedonas, të cilët kërkuan që nisma e Kasamit “të dënohet nga të gjitha partitë politike, organizatat joqeveritare dhe qytetarët".
Grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Këshillin e Komunës së Tetovës tha se “kurrë nuk do të veprojmë kundër interesave kombëtare maqedonase", megjithëse pranuan të diskutojnë vetëm për rrugët që nuk kanë emra, si dhe për rrugët që janë të regjistruara vetëm me numër.
Në anën tjetër, Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në opozitë, e dënoi publikisht nismën e Kasamit, pasi siç tha, “përpiqet të krijojë ndarje dhe tensione etnike".
“Këshilltarët e LSDM-së do të qëndrojnë fuqishëm kundër riemërtimit të rrugëve. Si partner i koalicionit të Kasamit, kërkojmë që Mickoski publikisht t’i bëjë thirrje atij që të tërhiqet nga ky propozim", deklaroi më 27 janar, Andriana Tomovska, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.
Kasami kishte deklaruar më herët se procesi i emërtimit dhe ndryshimit të rrugëve paraqet një proces sensitiv, duke kujtuar se një nismë e tillë nuk është ndërmarrë që 30 vjet.
Gjatë verës së vitit të kaluar ai formoi edhe një grup pune që do të merret me riemërimin e rrugëve. Grupi i punës ka për detyrë të përpilojë propozim-listë të rrugëve dhe ta dorëzojë te këshilli komunal, i cili më pas, nëse miratohet, do të avancojë në institucionet përkatëse. Në këtë vendim nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike.
Iniciativa të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga krerët paraprakë të Komunës së Tetovës, por asnjëherë nuk kanë arritur deri në fund. Përveç kësaj, disa rrugë të emëruara në gjuhën shqipe përdoren vetëm nga Komuna e Tetovës në komunikimin me qytetarët, ndërsa në dokumentet zyrtare vazhdojnë të figurojnë emra nga periudha e ish-Jugosllavisë.