Çfarë dimë për përplasjen e aeroplanit në Uashington?
Ka raportime se të paktën 18 trupa janë nxjerrë prej lumit Potomak.
Temperaturat është raportuar të jenë tejet të ulëta dhe e gjithë situata po vështirëson përpjekjet për kërkim-shpëtim.
Autoritetet amerikane janë duke hetuar rastin ndërsa Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit, Ronald Reagan i ka ndalur të gjitha fluturimet.
Çfarë ndodhi?
Rreth orës 21:00 të së mërkurës, sipas kohës lokale, një aeroplan i kompanisë PSA Airlines, duke operuar si American Airlines 5432, është përplasur me një helikopter të ushtrisë amerikane, teksa i është afruar aeroportit Ronald Reagan, sipas Administratës Federale të Aviacionit.
Aeroplani i pasagjerëve, i llojit Bombardier CRJ700, është nisur nga Kansasi.
Në të kanë qenë 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të bordit, sipas American Airlines.
Pentagoni ka thënë se helikopteri ka qenë i tipit Sikorsky H-60, i cili ishte nisur nga Virxhinia. Tre ushtarë kanë qenë në bord, sipas rrjetit televiziv, CBS.
Administrata Federale e Aviacionit ka thënë se do ta hetojë incidentin, bashkë me Bordin Kombëtar për Siguri të Transportit.
A ka viktima?
Nuk ka raportime zyrtare për viktima. Në raportimet fillestare në mediat amerikane është thënë se aeroplani i pasagjerëve është ndarë në dysh në lumin Potomak, ndërsa helikopteri është përmbysur në ujë.
Policia dhe departamenti i zjarrfikësve janë duke kërkuar në lumë për të mbijetuarit.
Përpjekjet për kërkim-shpëtim mund të shihen nga aeroporti Ronald Reagan, që është afër lumit.
Çfarë kanë thënë dëshmitarët?
Ari Schulman ka thënë për NBC Washington se e ka parë përplasjen e aeroplanit teksa ka qenë duke vozitur me makinë në afërsi të aeroportit.
Ai ka thënë se ulja e aeroplanit është dukur normale, derisa ka parë një dritë të madhe në qiell, si pasojë e përplasjes.
Deklarimet e zyrtarëve
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është informuar plotësisht për “aksidentin e tmerrshëm” dhe që është duke vëzhguar situatën nga afër.
“Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre”, ka thënë ai përmes një deklarate.
Trump i ka falënderuar ekipet e kërkim-shpëtimit për punë e bërë.
Nënpresidenti J.D Vance ka bërë thirrje për t’u lutur për ata që janë përfshirë në incident.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe Sekretari i Transportit, Sean Duffy, të cilët sapo janë emëruar në pozitat e tyre, kanë thënë se janë duke monitoruar situatën.
Shefi i kompanisë American Airlines, Robert Isom, ka shprehur “dhimbje të thellë” për përplasjen.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është thellësisht e mërzitur për rrëzimin e aeroplanit dhe ka ngushëlluar familjarët që mund të kenë humbur dikë të afërt si pasojë e incidentit.
“Kosova është me ju në këtë periudhë zemërthyese”, ka thënë ajo përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Kampionët rusë të patinazhit Naumov dhe Shishkova raportohet se ishin në mesin e pasagjerëve
Ish-kampionët botërorë rusë të patinazhit, Vadim Naumov dhe gruaja e tij, Evgenia Shishkova, raportohet të jenë në mesin e viktimave si pasojë e rrëzimit të aeroplanit.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS dhe uebfaqja ruse e sportit, Sports.ru, kanë cituar burimet e tyre të kenë thënë se Naumov dhe Shishkova, të cilët kanë fituar medalje të arta në Kampionatin Botëror më 1994, kanë qenë në aeroplan.
Çifti është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara pasi kanë përfunduar karrierën dhe janë bërë trajnerë në fushën e patinazhit.
Djali i tyre 23-vjeçar, Maximi, është shtetas amerikan që garon për Shtetet e Bashkuara në gara ndërkombëtare.
Ai është shpallur kampion kombëtar i të rinjve më 2020.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë regjistruar ndonjë aksident me aeroplanë pasagjerësh qysh prej shkurtit të vitit 2009, ndonëse një mori incidentesh në vjetët e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë.