Добавить новость
ru24.net
Evropaelire.org
Февраль
2025
1
2
3
4
5
6
7
8
9
10
11
12
13
14
15
16
17
18
19
20
21
22
23
24
25
26
27
28

DnV vëren intensifikim të fushatës, shpenzimeve dhe gjuhës së urrejtjes

0
Rrjeti i organizatave joqeveritare në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë të shtunën se në javën e tretë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është vërejtur një intensifikim i aktiviteteve partiake.


Njësoj, ky rrjet ka thënë se është intensifikuar edhe gjuha nxitëse dhe e urrejtjes.


Fushata zgjedhore ka nisur zyrtarisht më 11 janar dhe do të zgjasë deri në ditën kur të hapen qendrat e votimit.


Sipas DnV-së, fushata në javën e tretë ka qenë e qetë, përveç një rasti në Skenderaj, ku është tentuar të pengohet një tubim i Lëvizjes Vetëvendosje – parti aktualisht në pushtet.


Disa qytetarë atje kanë tentuar të pengojnë grumbullimin e këtij subjekti partiak dhe kanë përdorur mjete piroteknike.




Violeta Haxholli nga DnV ka tërhequr vërejtjen që situata të tilla rrezikojnë të përsëriten në ditët e fundit të fushatës, kur partitë politike të organizojnë takime përmbyllëse.


Ajo ka thënë se organizata që përfaqëson, e ka dënuar incidentin në Skenderaj, pasi ka qenë në kundërshtim me lirinë e grumbullimit dhe parimet e demokracisë, dhe i ka thirrur subjektet politike në përgjegjësi, duke u kërkuar të përmbahen nga gjuha nxitëse.


Disa qytetarë kanë protestuar para vendit ku ishte planifikuar të deklarohej Albin Kurti - kryeministër i Kosovës, i cili synon edhe një mandat në këtë pozitë – si dhe janë dëgjuar duke bërtitur “Thaçi, Thaçi”, referencë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që tradicionalisht ka qenë në krye të garës në Skenderaj.


Në zgjedhjet e vitit 2021, PDK-ja pati siguruar 70.9 për qind të votave në këtë komunë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 20 për qind.


Mes tjerash, Haxholli ka përmendur se në javën e tretë të fushatës është rritur edhe numri i shpenzimeve të partive për sponsorime në rrjetet sociale – në vlerë të rreth 50 mijë eurove.


Partitë politike në Kosovë kanë të drejtë të shpenzojnë mbi dy milionë euro në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ose jo më pak se një euro për një votues të regjistruar.


Kështu është e përcaktuar me rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e miratuar në muajin gusht të vitit të kaluar.


Rregullorja specifikon se në zgjedhjet e përgjithshme, ato lokale dhe për kryetarë të komunave, kufizimi i shpenzimeve do të jetë në jo më pak se një euro për votues.




Partitë politike financohen nga dy burime - nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët e jashtëm - në formë të parave të gatshme ose përmes kontributeve në mallra dhe shërbime.


Financimi nga buxheti i shtetit bëhet çdo vit përmes Fondit për Mbështetjen e Subjekteve Politike.


Ky fond në buxhetin e këtij viti - prej 3.6 miliardë eurosh - ka vlerën e 4.8 milionë eurove.


Mjetet nuk janë shpërndarë ende për këtë vit, sepse rekomandimi i propozuar nga Zyra e Partive Politike në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk i ka marrë votat e nevojshme nga anëtarët e KQZ-së.


Përpjekje të reja pritet të ketë në muajt në vazhdim.


Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike e kishte vlerën e njëjtë edhe vitin e kaluar: 4.8 milionë euro.


Ndarja bëhet në bazë të përfaqësimit të partive politike në Kuvendin e Kosovës, që ka gjithsej 120 ulëse.


Me Rregulloren për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, partitë politike kanë të drejtë të pranojnë kontribute shtesë për fushatë nga persona fizikë dhe juridikë.


Personat fizikë mund të japin deri në 2.000 euro, ndërsa ata juridikë jo më shumë se 10.000 euro.


Vëzhguesit e zgjedhjeve kanë ngritur shqetësime disa herë për transparencën e donacioneve që marrin partitë politike.




Në konferencën e DnV-së, Haxholli ka treguar edhe se vlera e gjobave të lëshuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për partitë politike ka shkuar në mbi 432 mijë euro përgjatë gjithë fushatës zgjedhore.


Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur më së shumti, me mbi 113 mijë euro, më pas Lëvizja Vetëvendosje me 101 mijë euro, të pasuara nga Partia Demokratike e Kosovës me 87 mijë euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 69 mijë euro, dhe disa parti tjera më të vogla.


Pluralizëm i partive politike serbe në Kosovë

Përgjatë konferencës, Dushan Radakoviq nga DnV, ka thënë se për dallim prej proceseve të kaluara zgjedhore në Kosovë, në këtë proces vërehet pluralizëm i partive politike serbe.


Ai ka thënë se për dallim nga një apo dy parti që më parë ishin aktive, tani në garë janë gjashtë subjekte politike.


Ai ka thënë se ato janë duke kryer aktivitetet e tyre në përputhje me ligjin dhe duke respektuar vendimet e Komisionit Qendror Zgjedhor.


Partitë serbe në garë janë: Lista Serbe, Demokracia Serbe, Lëvizja Kombëtare Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.




Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit - ka fituar mbi 90 për qind të votave të pjesëtarëve të komunitetit serb në të gjitha proceset zgjedhore në të cilat ka marrë pjesë.


Megjithatë, Misioni Monitorues i BE-së në Kosovë, në raportin e tij të vitit 2021, ka konstatuar se Lista Serbe “ka monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës” dhe se ka pasur raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatë dhe aktivistë të Listës Serbe.


Pjesëtarët e komunitetit serb në veri dhe në jug të lumit Ibër, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë javë më parë, e kanë mbështetur daljen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke thënë se duan që zëri i tyre të dëgjohet në institucionet e Kosovës.


Megjithatë, Radakoviq ka përmendur se asnjëra prej këtyre partive nuk ka ndonjë plan konkret për serbët e Kosovës dhe në fushatë janë duke kritikuar kryesisht njëri-tjetrin apo Qeverinë aktuale të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.


Sa u përket partive shqiptare, ai ka thënë se kryesisht Lëvizja Vetëvendosje është duke zhvilluar takime me qytetarët atje, si dhe diçka të ngjashme ka paralajmëruar edhe PDK-ja.


Radakoviq ka përmendur se as partitë shqiptare nuk tregojnë plane konkrete për veriun.




Në mandatin aktual qeverisës, Qeveria e Kurtit ka marrë një mori vendimesh në veriun e banuar me shumicë serbe, duke i arsyetuar me shtirje të sovranitetit në atë pjesë të vendit.


Në kuadër të vendimeve janë ndaluar pagesat në para të gatshme me dinarin serb, dhe janë mbyllur institucione paralele serbe.


Komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar disa herë Kurtin, duke kërkuar koordinim paraprak para marrjes së vendimeve dhe ofrimin e alternativave për serbët në Kosovë.



Moscow.media
Частные объявления сегодня





Rss.plus




Спорт в России и мире

Новости спорта


Новости тенниса
WTA

Анастасия Потапова с уверенной победы стартовала на турнире WTA-500 в Линце






Арина Шарапова: Наша страна побеждала всегда

В Бурятии может погаснуть «Светофор»

Суд прокомментировал действия банды амазонок, которые ранее орудовали на юге страны

Китайский Новый год: как провести выходные на площадках проекта «Зима в Москве»