Haradinaj përjashton mundësinë e një koalicioni me LVV-në
Gjatë një konference për media më 10 shkurt, një ditë pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare, kreu i AAK-së tha se nuk është i kënaqur me rezultatin e partisë së tij dhe partnerëve të koalicionit parazgjedhor.
Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me 91.47 për qind të vendvotimeve të numëruara, partia e Haradinajt është e katërta me 7.56 për qind apo 58.307 vota.
“Unë mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një qeveri të opozitës assesi me LVV, pra me zotin Kurti”, tha Haradinaj kur u pyet për mundësinë e koalicioneve paszgjedhore.
Sipas Haradinajt, në zgjedhjet e 9 shkurtit partitë opozitare kanë fituar, pasi LVV-ja në pushtet, ka humbur votë.
Në bazë të rezultateve preliminare, LVV-ja po prin me 40.96 për qind apo 316.016 vota të fituara. Kjo parti në zgjedhjet paraprake të vitit 2021, kishte fituar 50.28 për qind të votave.
Partia e dytë e zgjedhjeve të së dielës ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 22.42 për qind apo 172.953 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.62 për qind apo 135.976 vota të fituara.
“Do të doja që Kosova të kishte një rezultat më të mirë të opozitës, megjithatë e vërteta është që opozita ka fituar shumicën e votave krahasuar me partinë në pushtet, e cila edhe pas katër vjetëve qeverisës nuk arriti të mbante votat” që kishte pasur më 2021, tha kreu i AAK-së.
Ai tha se është i gatshëm që të bashkëpunojë me subjektet opozitare shqiptare për të krijuar një shumicë, pasi sipas tij kjo është e mundur.
“Jemi të gatshëm për këtë, pa asnjë kusht”, tha Haradinaj.
Gjatë fushatës, përveç AAK-së, edhe LDK-ja e kishte përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Kurtit, ndërkaq PDK-ja nuk ka paraqitur “vija të kuqe” për koalicionet e mundshme paszgjedhore.
Sipas Kushtetutës, që një qeveri të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës kërkohen të paktën 61 vota nga 120 deputetë.
Aktualisht po vazhdon numërimi i votave të rregullta që janë numëruar dhe më pas do të nisë numërimi i votave me kusht, i personave me aftësi të kufizuara dhe votave nga jashtë.
Pas këtij procesi do të dihet se sa ulëse do të fitojë secila parti në Kuvendin e Kosovës.
Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë. Vëzhguesit thanë se zgjedhjet ishin të qeta, me disa parregullsi, por pa incidente të mëdha.
Dalja ishte 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë. Paraprakisht, për këto zgjedhje kanë votuar edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë.
Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur për përbërjen e re prej parlamentare.