Gazetari i REL-it, Kuznechyk, lirohet pas mbi tre vjetëve burgim në Bjellorusi
Lirimi i babait të dy fëmijëve më 12 shkurt vjen një ditë pasi administrata e Trumpit siguroi lirimin e mësuesit amerikan, Marc Fogel, nga Rusia, një aleate kyçe e Bjellorusisë.
“Kjo është një ditë e gëzueshme për Andreyn, gruan e tij Alesya dhe dy fëmijët e tyre të vegjël. Pas më shumë se tre vjetëve të ndarë, kjo familje është sërish bashkë falë presidentit [të SHBA-së, Donald] Trump”, tha në një deklaratë më 12 shkurt presidenti i REL-it, Stephen Capus, duke vlerësuar përpjekjet e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, “dhe ekipit të tij”, si dhe qeverinë lituaneze për mbështetjen e saj.
“Ne mbetemi shpresëplotë se gazetari ynë, Ihar Losik, do të lirohet gjithashtu dhe presim që administrata e Trumpit të vazhdojë të udhëheqë dhe të ofrojë mbështetje”, shtoi Capus, duke iu referuar një gazetari tjetër të Radios Evropa e Lirë që është ende i ndaluar në Bjellorusi.
Kuznechyk u arrestua më 25 nëntor 2021 pasi u ndoq deri në shtëpi nga katër agjentë të paidentifikuar të sigurisë dhe fillimisht u dënua me dhjetë ditë burgim për akuza për huliganizëm, të cilat ai i mohoi.
Pas vuajtjes së dënimit, Kuznechyk nuk u lirua, por u akuzua sërish, këtë herë për krijimin e një grupi ekstremist, një veprim për të cilin autoritetet nuk informuan të afërmit dhe kolegët e tij për muaj të tërë.
Më 8 qershor 2022, gjykata rajonale e Mahiljout, në lindje të vendit, e shpalli Kuznechykun fajtor dhe e dënoi me gjashtë vjet burgim pas një gjyqi që zgjati vetëm një ditë.
Grupet e të drejtave të njeriut në Bjellorusi e kishin cilësuar Kuznechykun si një të burgosur politik dhe rasti i tij shihet si pjesë e një fushate më të gjerë shtypjeje kundër gazetarëve të REL-it dhe mediave të pavarura në Bjellorusi.
“Lajm i mrekullueshëm”, tha liderja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila u detyrua të largohej nga Bjellorusia me fëmijët e saj për arsye sigurie, duke komentuar për lirimin e Kuznechykut.
Sulmet ndaj mediave të pavarura filluan pasi vendi u godit nga protesta masive për shkak të zgjedhjeve presidenciale të kontestuara të vitit 2020, përmes të cilave sundimtari autoritar afatgjatë, Aleksandër Lukashenko, siguroi mandatin e tij të gjashtë radhazi. Opozita dhe qeveritë perëndimore thonë se votimi ishte i manipuluar.
Muajin e kaluar, kanali shtetëror bjellorus i televizionit ONT transmetoi disa segmente të një filmi propagandistik për gazetarët e REL-it të mbajtur në burgjet bjelloruse, duke i akuzuar ata se “po përpiqeshin të vinin Bjellorusinë në flakë”.
Seriali, i titulluar Svaboda Slova (Liria e Fjalës), dukej se synonte të diskreditonte gazetarët e pavarur që kanë raportuar për abuzimet dhe shtypjen e qeverisë në Bjellorusi, vetëm pak para zgjedhjeve presidenciale të 26 janarit, të cilat Lukashenko i fitoi sërish lehtësisht.
Në një nga segmentet, Kuznechyk dukej i dobët ndërsa fliste me një nga autorët e filmit në një mjedis që ngjante me burg. I veshur me xhaketë dhe kapelë, ai foli me një ton të qetë dhe të matur, por dukej i lodhur. Segmenti përfundoi me pamje të tij duke u shoqëruar nën mbikëqyrje.
Losik, si dhe Ihar Karney, i cili më parë ka shkruar për REL-in – të dy ende të burgosur në Bjellorusi – ishin në fokus të segmenteve të mëvonshme të filmit.
Më parë, qytetarja amerikane Anastasia Nuhfer u lirua në mënyrë të njëanshme nga një burg bjellorus më 26 janar.
Detajet rreth ndalimit të Nuhferit mbeten të paqarta, me emrin e saj që më parë nuk ishte përmendur në diskursin publik. Minsku nuk e bëri kurrë publik emrin e saj, dhe Uashingtoni nuk publikon emrat e amerikanëve të ndaluar jashtë vendit pa pëlqimin e familjeve të tyre.