Vetura godet turmën e njerëzve në Munih, dhjetëra të lënduar
Sipas autoriteteve, incidenti besohet të ketë qenë sulm, ndërsa i dyshuari – një azilkërkues afgan – është arrestuar.
Pjesëmarrësit në demonstratën e sindikatës së punëtorëve "ver.di" po ecnin nëpër një rrugë afër qendrës së Munihut, rreth orës 10:30 të mëngjesit, kur vetura kaloi një automjet policor që po e përcillte tubimin, rriti shpejtësinë dhe u përplas me njerëzit, raporton Associated Press.
Oficerët arrestuan të dyshuarin pasi shtënë me armë ndaj automjetit, bëri të ditur zëvendësshefi i Policisë, Christian Huber.
Ai shtoi se të paktën 28 persona besohet të jenë lënduar, disa prej të cilëve rëndë.
Një automjet i dëmtuar, i markës Mini, u pa në vendin e ngjarjes, bashkë me mbetje të tjera, përfshirë këpucë.
I dyshuari është një azilkërkues afgan, 24-vjeçar, tha Huber.
“Dyshohet të jetë sulm – shumë gjëra sinjalizojnë këtë”, tha guvernatori i Bavarisë, Markus Soeder, në vendin e ngjarjes.
Incidenti pason një varg sulmesh ku janë përfshirë imigrantët gjatë muajve të fundit, të cilët e kanë vënë imigracionin në ballë të fushatës për zgjedhjet e 23 shkurtit në Gjermani.
Më së fundi, një djalë dyvjeçar dhe në person tjetër u vranë nga një sulm me thikë në Ashafenburg, po ashtu në Bavari.
Siguria do të rritet dukshëm në kryeqendrën bavareze gjatë ditëve të ardhshme, për shkak se Konferenca treditore e Sigurisë në Munih, një tubim i përvitshëm i zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë të politikës së jashtme dhe sigurisë, hapet zyrtarisht të premten.
Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, ka thënë se autoritetet nuk besojnë se incidenti i së enjtes është i lidhur me konferencën, por se ato ende po punojnë për ta përcaktuar motivin.