Trump prezanton planin për “tarifa reciproke” që prekin miqtë dhe armiqtë
Duke folur prej Zyrës Ovale, Trump ka thënë se ka vendosur për zbatim të tarifave reciproke, derisa gazetarëve u ka thënë se aleatët amerikanë kanë qenë shpesh “më të këqij sesa armiqtë” në aspektin tregtar.
Ai e ka përmendur në veçanti Bashkimin Evropian, duke thënë se ka qenë “absolutisht brutal” në marrëdhëniet tregtare me Uashingtonin.
Masat do të zbatohen ndaj secilit partner tregtar të SHBA-së, varësisht se sa ka tarifë në mallrat amerikane.
Dokumenti i nënshkruar të enjten nga Trumpi, u mundëson përfaqësuesve amerikanë të tregtisë, Sekretarit amerikan të Tregtisë dhe zyrtarëve të tjerë që të propozojnë masa ndaj secilit shtet, veç e veç.
Uashingtoni do të nisë me analizim të ekonomive me të cilat SHBA-ja ka deficit më të madh, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
“Kjo mund të jetë çështje javësh, muajsh, por jo më shumë se aq”, ka thënë një zyrtar për agjencinë e lajmeve AFP.
Para komenteve të Trumpit, këshilltari i presidentit për tregti, Peter Navarro, u ka thënë gazetarëve se “shumë kombe që eksportojnë, kanë sulmuar tregjet tona me tarifa ndëshkuese, apo edhe me barriera tjera ndëshkuese jotarifore”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se SHBA-ja është trajtuar padrejtësisht, duke thënë se mungesa e reciprocitetit është arsyeja mbrapa “deficitit të vazhdueshme tregtar në mallrat” vendore, që ka arritur në 1 trilion dollarë vitin e kaluar.